Titulli i Projektit: FIECR - Nxitja e bashkëpunimit dhe pajtimit ndëretnik
Partneri implementues: New Social Initiative (NSI)
Donatori: Fondi i Paktit të Stabilitetit të Zyrës së Jashtme Federale Gjermane
Kohëzgjatja: 18 muaj (Gusht 2022 – Shkurt 2024)
Përmes këtij projekti QKSS dhe NSI do të angazhohen në mënyrë aktive për të promovuar zhvillimin e bashkëpunimit në nivel komuniteti mes grupeve etnike shumicë dhe joshumicë në Kosovë, përmes një aktiviteti të përshtatur që mbështetë ngritjen e kapaciteteve, avokimit dhe ofron ndihmë teknike për të mundësuar bashkëpunimin mes komuniteteve në çështje zhvillimore. Objektiva gjenerale e këtij projekti është të nxisë bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë, duke ofruar hapësirë për veprime të ndërsjellta për ndërtim të besimit dhe duke krijuar mundësi që të identifikojnë/adresojn-ë së bashku sfidat e përbashkëta dhe të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje të komunitetit. Ky projekt ka tri komponente:
Hulumtimi dhe analiza -Qëllimi i komponentit të parë të hulumtimit dhe analizës është të sigurojë një kuptim të plotë se si qytetarët dhe udhëheqësit e komuniteteve i perceptojnë marrëdhëniet ndëretnike në komunitetin e tyre dhe cilat mundësi dhe pengesa janë identifikuar në fushën e bashkëpunimit. Rezultatet e komponentit të parë do të identifikojnë konkretisht se si aspekte të veçanta të së kaluarës dhe luftës i pengojnë shqiptarët dhe serbët e Kosovës të punojnë së bashku, si dhe do të theksojnë se cili potencial konkret i zhvillimit mbetet i pashfrytëzuar si rezultat i mungesës së bashkëpunimit ndëretnik. Hulumtimi dhe analiza do të identifikojë gjithashtu boshllëqet e kapaciteteve në institucionet publike, shoqërinë civile dhe në nivel të komunitetit që e bëjnë më të vështirë promovimin e bashkëpunimit ndëretnik. Hulumtimi dhe analiza do të shoqërohen dhe mbështeten nga konsulentë të jashtëm akademik, në formën e rishikimeve të aktiviteteve kërkimore dhe seminareve mbi metodat sasiore dhe cilësore të kërkimit dhe etikën e hulumtimit. Për më tepër, analizim i të dhënave do të bazohet në një plan të menaxhimit të të dhënave.
Zhvillimi i Ndërtimit të Kapaciteteve dhe Trajnimet- Qëllimi i komponentit të dytë është të ofrojë mbështetje direkte për të korrigjuar boshllëkun e kapaciteteve dhe të zhvillojë aftësitë e nevojshme mes organizatave joqeveritare, institucioneve publike, udhëheqësve të komuniteteve, sektorit privat dhe komunitetit të biznesit. Kjo do të arrihet përmes trajnimeve, mentorimeve dhe trajnimeve në punë, që do të përmirësojnë aftësitë e buta të qytetarëve për t’i ndihmuar të çojnë përpara iniciativat ekonomike start-up, të cilat do t’i mbështesin në zhvillimin e ideve të projekteve.
Avokimi dhe angazhimi - Qëllimi i komponentit të tretë është të mbështesë drejtpërdrejt bashkëpunimin ndëretnik përmes angazhimit në nivel të komunitetit (grassroots). Fokusi primar i këtij komponenti është të rrisë aktivizmin qytetar të komunitetit të targetuar dhe të bëjë aktivizëm për interesat e përbashkëta të komunitetit si: mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbrojtja e mjedisit, trajtimi i dhunës në familje, përmirësimi i sundimit të ligjit, ngritja e mundësive ekonomike, dhe në përgjithësi përmirësimi i kualitetit të jetesës për të gjitha komunitetet në Kosovë. Respektivisht, qëllimi është të transformohen disa prej gjetjeve kyçe të hulumtimit në një kauzë të përbashkët e cila duhet të çohet përpara, pa dallime etnike. Në të kaluarën, ka pasur disa shembuj ad-hoc të aktivizmit ku shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë qenë të angazhuar në një kauzë të përbashkët, si për shembull protestat relativisht aktuale në Komunën e Shtërpcës, që përfshinin qytetarë lokalë dhe aktivistë të ambientit nga të dy komunitetet, kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja. QKSS-ja, përmes aktiviteteve, ka identifikuar një spektër më të gjerë të sfidave të ngjashme të lidhura me sigurinë që i ndikojnë të dy komunitetet si: dhuna në familje, diskriminimi gjinor, parandalimi i krimit, kërcënimet natyrore (përmbytjet, zjarret, tërmetet, imigrimi i të rinjëve, brain-drain, krimi i organizuar dhe ekstremizmi i dhunshëm etj). Rezultati kyç i këtij komponenti do të jetë krijimi i një Forumi të Komunitetit për Bashkëpunim në Çështje me Interes Publik, që do të shërbejë si mekanizëm që nxitë këtë aktivizëm. Ky Forum do të fokusohet fillimisht në gjashtë komunat më të diversifikuara dhe të ndara etnikisht, me tendencë të zgjerohet në të gjitha komunat që përballen me sfida të integrimit ndëretnik.