18/05/2023
Prishtinë, 17 maj 2023: Në kuadër të projektit Nxitja e Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndëretnik (FIERC) i zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Iniciativën e Re Sociale (NSI), dhe mbështetur nga Fondi i Paktit të Stabilitetit të Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, anëtarët e Forumit të Komunitetit për Interes Publik (CFPI) nga komunat e Shtërpcës, Graçanicës, Lipjanit, Kamenicës dhe Vitisë morën pjesë në një trajnim njëditor për drejtësinë tranzicionale dhe të drejtat e njeriut.
Qëllimi i trajnimit ishte që të kuptohet më mirë korniza institucionale, ligjore dhe e politikave për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Trajnimi gjithashtu kishte për qëllim të informojë pjesëmarrësit se si Kosova e ka trajtuar procesin e drejtësisë tranzicionale dhe pse është i rëndësishëm për pajtimin dhe marrëdhëniet paqësore ndëretnike në Kosovë.
Trajnimi u mbajt nga z. Bekim Balkaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, i cili ka përvojë të gjerë në drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.
Trajnimi theksoi rëndësinë e anëtarëve të Forumeve të Komunitetit për Interes Publik për promovimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndëretnik, si dhe kundërshtimin e përpjekjeve që kërcënojnë tolerancën dhe shoqërinë multietnike në Kosovë.
Forumet e Komunitetit për Interes Publik janë themeluar në kuadër të projektit FIERC për të lehtësuar dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në komuna multietnike në Kosovë. Projekti FIERC do të ofrojë mbështetje shtesë për zhvillimin e kapaciteteve për anëtarët e CFPI-ve në fushën e avokimit dhe organizimit të komunitetit. Projekti FIERC gjithashtu planifikon të financojë deri në dhjetë iniciativa komunitare që promovojnë interesat publike dhe zgjidhin një çështje konkrete shqetësuese për komunitetet.