QKSS ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Vitisë për krijimin e Forumeve të Komuniteteve me Interes Publik (CFPI)

24/02/2023

QKSS ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Vitisë për krijimin e Forumeve të Komuniteteve me Interes Publik (CFPI)

Më datën 23/02/2023 QKSS ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Vitisë për krijimin e Forumeve të Komuniteteve për Interes Publik (CFPI).

Kryetari i Komunës si Vitisë z. Sokol Haliti shprehi gatishmëri për implementimin e aktivitetve të projektit FIERC, duke theksuar se bashkëpunimi ndëretnik dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve në Komunën e Vitisë janë prioritet. Kryetari i komunës së Kllokotit, z. Vladan Bogdanović përkrahi këtë iniciativë dhe tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar me komunën e Vitisë për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike përmes krijimit të Forumeve të komunitetit për Interes Publik. Për më tepër, Komuna e Vitisë dhe ajo e Kllokotit nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre për të punuar së bashku për ofrimin e disa shërbimeve për qytetarët e të dyja komunave.

Forumet e Komunitetit për Interes Publik (CFPI) paraqesin një ndër komponentët kryesorë të projektit FIERC. Ato do të shërbejnë si platformë për takime ndërmjet strukturave komunale dhe përfaqësuesve të komunitetit për të diskutuar çështjet dhe sfidat e përbashkëta të komuniteteve që jetojnë në komunat e Kosovës. CFPI-të po ashtu kanë për qëllim të lehtësojnë komunikimin dhe qasjen e komunitetit me autoritetet vendimmarrëse komunale, me fokus kryesor në avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndëretnik.

Ky takim është organizuar në kuadër të projektit “Nxitja e Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndëretnik” (FIERC), implementuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në partneritet me Iniciativën e Re Sociale (NSI), financuar nga Fondi i Paktit të Stabilitetit i Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë.