Seminar një-ditor online për metodat kuantiative dhe kualitative të hulumtimit

7/12/2022

 Seminar një-ditor online për metodat kuantiative dhe kualitative të hulumtimit

Me 2 Dhjetor 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar një seminar një-ditor online me fokus në metodat kuantiative dhe kualitative të hulumtimit. Seminari është udhëhequr nga Prof. Dr. Ulrich Wagner nga Universiteti i Marburgut dhe Prof. Dr. Werner Distler nga Universiteti i Groningenit. 

Programi i seminarit ka përfshirë një diskutim të gjerë rreth përdorimit të metodave kuantiative dhe kualitative të hulumtimit për të kuptuar një situatë dhe për të dizajnuar një ndërhyrje të bazuar në prova. Në këtë drejtim, trajnerët e përqendruan vëmendjen e tyre në mënyrën e implementimit të anketave në terren, çfarë lloj pyetjesh duhet të përdoren gjatë kryerjes së kërkimit kuantitativ, si të ndërtohet një pyetësor dhe si të zgjidhet një mostër e përshtatshme për nevojat specifike të projekteve të ndryshme hulumtuese.

Nga ana tjetër, seminari ofroi gjithashtu një pasqyrë të përgjithshme të hulumtimit kualitativ me fokus në pyetjet si, kur dhe pse përdoret hulumtimi kualitativ në varësi të konteksteve dhe rrethanave të ndryshme. Në këtë drejtim, seminari përfshiu një sesion për zhvillimin e intervistave kualitative dhe u përmbyll me një diskutim mbi etikën në hulumtim dhe implikimet etike të iniciativave të ndryshme hulumtuese.

Pjesëmarrësit e trajnimit përfshinin studentë të rinj dhe aktivistë lokal nga komuniteti shqiptar dhe serb i Kosovës dhe stafi hulumtues i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Iniciativës së Re Sociale. Pjesëmarrësit dhanë një vlerësim të seminarit dhe morën pjesë aktive në diskutimin e shembujve praktikë të temave të trajtuara nga seminari.

Ky seminar u organizua në kuadër të projektit "FIERC - Nxitja e bashkëpunimit dhe pajtimit ndëretnik", të implementuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Iniciativën e Re Sociale (NSI). Ky projekt mbështetet nga Fondi i Paktit të Stabilitetit të Zyrës së Jashtme Federale Gjermane.