24/01/2023
Sot, përfaqësuesit e QKSS-së u takuan me Kryetarin e Komunës së Vitisë, z.Sokol Haliti, për ta prezantuar me projektin FIERC dhe për të inicuar krijimin e Forumeve të Komunitetit për Interes Publik (CFPI) në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Vitisë na njoftoi me iniciativat e ndërmarra nga kjo komunë për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike mes komuniteteve që jetojnë në Viti, si dhe përkushtimin e tij për të avancuar më tej të drejtat e komuniteteve joshumicë. Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm dhe e mirëpriti bashkëpunimin me QKSS-në për të themeluar Forumet e Komunitetit për Interes Publik. Takimet e para të CFPI-së së kësaj komune pritet të fillojnë gjatë javëve në vijim. QKSS-ja falenderon Kryetarin e Komunës së Vitisë për punën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar për lehtësimin e bashkëpunimit ndëretnik.
Forumet e Komunitetit për Interes Publik (CFPI) paraqesin një ndër komponentët kryesorë të projektit FIERC. Ato do të shërbejnë si platformë për takime ndërmjet strukturave komunale dhe përfaqësuesve të komunitetit për të diskutuar çështjet dhe sfidat e përbashkëta të komuniteteve që jetojnë në komunat e Kosovës. CFPI-të po ashtu kanë për qëllim të lehtësojnë komunikimin dhe qasjen e komunitetit me autoritetet vendimmarrëse komunale, me fokus kryesor në avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndëretnik.
Ky takim është organizuar në kuadër të projektit “Nxitja e Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndëretnik” (FIERC), implementuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në partneritet me Iniciativën e Re Sociale (NSI), financuar nga Fondi i Paktit të Stabilitetit i Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë.