7/06/2023
Në oborrin që ndajnë bashkë dy shkollat në fshatin Binçë të Vitisë, ajo “Ndre Mjeda” në shqip dhe “Mlladen Markoviq” në gjuhën serbe, mësojnë e luajnë 12 nxënës, 7 serbë dhe 5 shqiptarë. Personeli shqiptarë dhe serbë takohen çdo ditë në oborr, dhe hapin e mbyllin bashkë portën e përbashkët të këtyre dy shkollave.
Forumi i Komunitetit për Interes Publik, një grup joformal multietnik i themeluar në fillim të prillit, ka vizituar të martën Binçën, ku serbë e shqiptarë në oborrin e shkollave të tyre, flasin për marrëdhënie tejët të mira ndëretnike në mes të personelit dhe nxënësve. Ata kanë një oborr me plot gjelbrim, një fushë sporti të përbashkët në mes të oborrit, ku luajnë bashkë të gjithë nxënësit.
Në një bisedë të hapur me ekipin e Forumit të Komunitetit për Interes Publik, të cilët shprehën gatishmërinë për një ofruar një donacion për ndonjë projekt, nikoqirët lehtësisht pajtohen se një kënd i lojërave do të ishte një projekt i përshtatshëm për fëmijët e dy shkollave. Ata theksuan edhe nevoja të tjera, si mungesa e ujit të pijshëm, porta metalike e shkollës e vjetëruar, si dhe shkallët e dëmtuara në njërin objekt.
Në takimin e së martës të këtij forumi, të kryesuar nga nënkryetari i komunës, Hasan Aliu, u raportua për përfundimin e një projekti tjetër, të pjerrinave në trotuaret e qytetit, për lehtësimin e lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara. Ky forum i përbërë nga zyrtarë komunal shqiptarë e serb dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe këshillave të fshatit dhe zonave urbane, mblidhet në baza të rregullta për të nxitur aktivizmin qytetar në shërbim të iniciativave multietnike, në komunën ku jetojnë në harmoni dhe paqe shqiptarë, serbë e kroatë.
Projekti “Nxitja e bashkëpunimit dhe pajtimit ndëretnik”, financohet nga Fondi i Paktit të Stabilitetit të Zyrës së Jashtme Federale Gjermane dhe zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Ai po mbështet forumet e komuniteteve për interes publik në Graçanicë, Lipjan, Kamenicë, Viti, Mitrovice dhe Shtërpcë.