Perceptimet e qytetarëve për marrëdhëniet ndër-etnike: Për Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, kërcënimet kyçe të paqes përfshijnë papunësinë dhe marrëdhëniet ndëretnike

15/12/2022

Perceptimet e qytetarëve për marrëdhëniet ndër-etnike: Për Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, kërcënimet kyçe të paqes përfshijnë papunësinë dhe marrëdhëniet ndëretnike

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Iniciativa e Re Sociale (NSI), në një event për media, publikuan sot rezultatet e një ankete me 1200 të anketuar në mbarë Kosovën mbi perceptimet e qytetarëve për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë. Anketa është realizuar në kuadër të projektit “FIERC” financuar nga Fondi i Paktit të Stabilitetit të Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane.

Anketa u implementua nga 28 tetori deri më 2 nëntor nga një ekip multietnik hulumtuesish dhe mbuloi rajonet kryesore të Kosovës, duke përfshirë komunat multietnike, zonat rurale dhe urbane, dhe për këtë arsye ofron një pasqyrë shumë të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të asaj që qytetarët mendojnë për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe si mund të përmirësohen tutje ato.

Papunësia dhe mungesa e vendeve të punës janë shqetësimet kryesore për shqiptarët e Kosovës (51%) si dhe serbët e Kosovës (46%), e pasuar nga sistemi i dobët shëndetësor dhe korrupsioni në institucionet publike. Për shqiptarët e Kosovës tre kërcënimet kryesore për paqen dhe sigurinë në komunitetin e tyre janë: papunësia (30%), mungesa e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (21%) dhe korrupsioni (16%). Ngjashëm për serbët e Kosovës, papunësia konsiderohet si kërcënimi kryesor për paqen dhe sigurinë (29%), e ndjekur nga gjendja e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë (19%) dhe së treti dhuna politike dhe ekstremizmi politik (14%). Kur bëhet fjalë për sigurinë, 84% e shqiptarëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt si anëtarë të grupit të tyre etnik, krahasuar me 44% të serbëve të Kosovës që ndihen të sigurt dhe 39% prej tyre që nuk ndihen të sigurt.

Këto rezultate të anketës do të pasohen nga dy raporte të tjera që analizojnë gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, që do të publikohen deri në fund të vitit.