Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor (BSBP) është një nismë e re rajonale e nisur nga QKSS në vitin 2020 si pasardhëse e programit të QKSS Barometri i Sigurisë së Kosovës i implementuar në Kosovë për tetë vite me radhë.
BSBP është një iniciativë rajonale që bën matjen e perceptimeve publike në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Përmes matjes së opinionit publik, BSBP identifikon kërcënimet dhe sfidat e ndryshme ekzistuese dhe ato me potencial rritjeje siç perceptohen nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të përdorë matjen e opinionit publik si një instrument të besueshëm të kërkimit të llogaridhënies dhe avokimit, dhe të ndikojë pozitivisht në trajektoren e zhvillimeve kyçe lokale dhe rajonale të sigurisë, politikës të jashtme dhe zbatimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, projekti synon të lehtësojë dhe promovojë bashkëpunimin rajonal dhe afrimin e shoqërive të Ballkanit Perëndimor duke ekspozuar, trajtuar dhe luftuar stereotipet ndër- kulturore përmes sigurimit dhe ofrimit të të dhënave konkrete të matshme dhe të besueshme në temat përkatëse. BSBP synon t'i përkthejë gjetjet hulumtuese në një mjet të fuqishëm për adresimin e çështjeve kyçe të brendshme, bilaterale dhe rajonale përmes aktiviteteve intensive të avokimit të bazuara në të dhëna të dorës të parë.
BSBP forcon dhe diversifikon rolin avokues të shoqërisë civile ndaj qeverive përkatëse dhe palëve të tjera me ndikim në promovimin dhe ndërmarrjen e reformave dhe veprimeve të nevojshme për të mirën e të gjitha komuniteteve duke prodhuar të dhëna të besueshme në baza vjetore.
Projekti udhëheqet nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe implementohet në partneritet me Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në Shqipëri.
Projekti mbështetet financiarisht nga National Endowment for Democracy (NED).