27/02/2023
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot (28 Shkurt 2023) Raportin e dytë të anketës e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 lidhur me perceptimet e qytetarëve për Sigurinë Publike dhe Kërcënimet ndaj Sigurisë Kombëtare.
Raporti përbëhet nga dy kapituj: i) perceptimet mbi sigurinë publike, dhe ii) perceptimet mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare. Kapitulli i parë analizon perceptimet publike mbi sigurinë publike, duke përfshirë atë se sa të sigurt ndihen të anketuarit në komunitetet e tyre dhe cilat çështje paraqesin kërcënim për mirëqenien e komuniteteve të tyre. Në kapitullin 1 të këtij raporti janë përfshirë edhe perceptimet publike për çështjen e dhunës në familje dhe perceptimet për rrezikun nga COVID-19. Në anën tjetër, kapitulli i dytë përmban një pasqyrë të opinionit publik mbi kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë kombëtare.
Migrimi i të rinjve dhe profesionistëve (largimi i trurit) renditet si kërcënimi më i lartë për sigurinë publike, të cilin 83 përqind të të anketuarve e shohin si kërcënim ose kërcënim të lartë për komunitetet e tyre përkatëse. Kafshët endacake dhe abuzimi me drogën perceptohen gjithashtu si fenomene shumë kërcënuese. Për më shumë, të anketuarit përgjithësisht shqetësohen për mungesat e gjërave esenciale, por shqetësimet më të mëdha i shprehin për mungesën e energjisë elektrike.
Më tutje sa i përket sigurisë publike, të anketuarit përgjithësisht ndihen të sigurt në komunitetet e tyre të ngushta. Megjithatë, ndjenja e sigurisë gradualisht zvogëlohet ndërsa komunitetet rriten.
Në nivel të sigurisë kombëtare, të anketuarit i shohin çmimet e rritura të mallrave si kërcënimin më të lartë ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës, pasuar nga kriza energjetike. Ndotja dhe ndryshimet klimatike, ekstremizmi i dhunshëm dhe COVID-19 shihen si kërcënimet më të ulëta për sigurinë kombëtare.
Gjatë shqyrtimit të Pandemisë COVID-19 si një nga kërcënimet e sigurisë personale dhe kombëtare, rezultatet dalin të ndara në pyetjen nëse vazhdon të rrezikojë shëndetin publik, ku pothuajse gjysma e të anketuarve u përgjigjën negativisht.
Në nënkapitullin për Dhunën në Familje, sipas të dhënave të anketës, shkaqet kryesore të dhunës në familje në Kosovë janë kushtet e këqija ekonomike dhe niveli i ulët arsimor. Të anketuarit besojnë se ngritja e cilësisë së arsimit, dhe organizimi i më shumë fushatave vetëdijësuese janë disa nga masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor”. BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Ky projekt rajonal udhëhiqet nga QKSS me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED)