Perceptimet e Qytetarëve për Ndikimin e Akterëve të Huaj në Kosovë dhe Bashkëpunimin Rajonal

10/07/2023

Perceptimet e Qytetarëve për Ndikimin e Akterëve të Huaj në Kosovë dhe Bashkëpunimin Rajonal
E PUBLIKUAR NGA

QKSS

Mbështetur nga

NED

AUTORË

Dorjeta Rukiqi

Shkarko

Perceptimi i përgjithshëm i të anketuarve ndaj vendeve perëndimore siç janë SHBA (91 përqind), Gjermania (90 përqind), Austria (84 përqind) dhe Mbretëria e Bashkuar (83 përqind) është pozitiv. Në anën tjetër, perceptime negative shkojnë ndaj shteteve që nuk e njohin Kosovën, siç janë Rusia (86 përqind), Kina (65 përqind), Spanja (61 përqind) dhe Irani (49 përqind). Ndikimi pozitiv i akterëve perëndimorë në Kosovë është i dukshëm përmes ndihmës, asistencës dhe mbështetjes së tyre gjatë gjithë procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Programet e tyre të bashkëpunimet ndërkombëtar, që e kanë synim promovimin e demokracisë dhe ofrimin e mbështetjes ekonomike dhe financiare, e kanë ndihmuar shumë avancimin e Kosovës si një shtet i ri. Anasjelltas, perceptimet e ndikimeve keqdashëse përputhen me pengesat e paraqitura nga vende si Rusia, Kina dhe Spanja. Këto kombe kanë penguar përparimin e Kosovës duke penguar pjesëmarrjen e saj në procese vendimtare, duke bllokuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, duke refuzuar të njohin pavarësinë e saj dhe duke injoruar institucionet e saj. Këto veprime kanë kontribuar në perceptimet negative ndaj këtyre vendeve në mesin e të anketuarve, duke reflektuar ndikimin e tyre negativ në zhvillimin e Kosovës. Sa i përket vendeve të rajonit, 90 për qind e të anketuarve e shohin Shqipërinë si me ndikimin më pozitiv, ndërsa Serbia perceptohet si vendi rajonal me ndikimin më negativ. Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, 69 për qind e të anketuarve e mbështesin atë, ndërsa 24 për qind janë kundër. Në mënyrë të ngjashme, 70 për qind e të anketuarve mbështesin lëvizjen e lirë të forcës punëtore dhe mallrave brenda rajonit, ndërsa 24 për qind kanë qëndrim të kundërt. Megjithatë, vetëm 31 për qind e të anketuarve mbështesin të ashtuquajturën Iniciativë Ballkani i Hapur, ndërsa 52 për qind janë kundër saj. Iniciativa e Ballkanit të Hapur, një përpjekje rajonale për të promovuar bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, ka shkaktuar reagime të përziera në mesin e opinionit publik në Kosovë. Mungesa e një statuti të qartë të shkruar dhe qëllimet e papërcaktuara kanë shkaktuar konfuzion, ku shumica e shohin këtë iniciativë si një mjet me të cilin Serbia mundohet të konsolidojë dominimin e saj në rajon. Këta faktorë kontribuojnë në dinamikën komplekse dhe pasiguritë që rrethojnë Iniciativën e Ballkanit të Hapur në Kosovë. Të anketuarit që mbështesin Iniciativën e Ballkanit të Hapur sugjerojnë se ajo përmirëson bashkëpunimin rajonal, vendos lirinë e lëvizjes në rajon, gjeneron punësim dhe nxit zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër, ata që e kundërshtojnë argumentojnë se ajo fuqizon Serbinë, diskriminon pozitën e Kosovës në rajon dhe dobëson ekonominë e Kosovës.

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga anketa e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e iniciuar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme lidhur me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.