Publimi i raportit: Perceptimet e komunitetit mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga fushëbetejat e ISIS-it

26/05/2020

Publimi i raportit: Perceptimet e komunitetit mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga fushëbetejat e ISIS-it

Sot, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin e fundit hulumtues në kuadër të programit të Ekstremizmit të Dhunshëm. Ky raport ofron një përmbledhje të perceptimeve të qytetarëve të Kosovës mbi ekstremizmin e dhunshëm. Raporti përqendrohet veçmas në pikëpamjet e tyre mbi riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga fushëbetejat e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, si dhe perceptimin e qytetarëve mbi përpjekjet e institucioneve dhe OShC-ve në lidhje me riintegrimin dhe rehabilitimin e të kthyerve dhe familjeve të tyre.

Përveç publikimit të të gjeturave të raportit, QKSS ka organizuar edhe një diskutim për procesin e riintegrimit dhe rehabilitimit. Në këtë diskutim morri pjesë edhe Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës Z. Xhelal Sveçla, i cili përmes një prezantimi të shkurtër foli rreth progresit të arritur deri më tash në përpjekjet institucionale për rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak dhe cilat kanë qenë sfidat dhe mangësitë kryesore të institucioneve në këtë drejtim.

Në anën tjetër, në një panel të ndarë me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile që implementojnë projekte në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit, diskutimi u përqendrua në kapacitetet e shoqërisë civile për të kontribuar tutje në rehabilitim dhe riintegrim dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes akterëve institucional, shoqërisë civile dhe komunitetit në rritjen e efektivitetit të programeve të riintegrimit dhe rehabilitimit. Në këtë panel morrën pjesë Znj. Nerimane Ferizi nga Community Building Mitrovica (CBM), Znj. Luljeta Berisha Gallopeni nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe Z. Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Diskutimet e sotshme u moderuan nga Znj. Teuta Avdimetaj, Hulumtuese në QKSS.

Raportin mund t'a gjeni këtu: Perceptimet e komunitetit mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga fushëbetejat e ISIS-it