Barometri Kosovar i Sigurisë - Fokus grup me përfaqësues të institucioneve

20/10/2020

Barometri Kosovar i Sigurisë - Fokus grup me përfaqësues të institucioneve

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 16 tetor 2020, organizoi grupin e fokusit me institucionet kyqe, subjekt i hulumtimit në Barometrin Kosovar të Sigurisë 2020.

Qëllimi i grupit të fokusit ishte prezantimi i gjetjeve preliminare të Barometrit Kosovar të Sigurisë 2020, përkatësisht pjesës së besimit në institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe ato qendrore, perceptimit të qytetarëve mbi korrupsionin në këto institucione dhe kontaktin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet përkatëse.

Përfaqësuesit e institucioneve vlerësuan se besimi është i lidhur ngushtë me kontaktin që ata kanë me qytetarët dhe procese e zhvillime të ndryshme që marrin vëmendje më të madhe publike. Për më tepër, gjetjet e edicionit të sivjetmë të Barometrit Kosovar të Sigurisë u panë edhe si indikator që ka nevojë për bashkëpunim dhe komunikim më të gjerë mes institucioneve të ndryshme dhe ngritje të vetëdijes të qytetarëve për mandatin dhe punën e institucioneve të ndryshme.

Pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan se Barometri Kosovar i Sigurisë është mekanizëm shumë kredibil dhe i nevojshëm për zhvillimin e përmisimin e punës së institucioneve, përderisa të gjeturat e tij kontribuojnë në debatin e përgjithshëm të efikasitetit të institucioneve dhe ngritjen e vetëdijes si tek qytetarët, ashtu edhe brenda institucioneve.

Në grupin e fokusit morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Prokuroria e Shtetit, Agjencia Anti-Korrupsion dhe Dogana e Kosovës.

Ky aktivitet u realizuar në kuadër të projektit; Barometri i Sigurisë në Ballkanin Perëndimor i cili mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).