Perceptimi Publik ndaj Institucioneve të Sigurisë dhe Drejtësisë, si dhe Çështjeve të Korrupsionit në Shqipëri

28/01/2023

Perceptimi Publik ndaj Institucioneve të Sigurisë dhe Drejtësisë, si dhe Çështjeve të Korrupsionit në Shqipëri
E PUBLIKUAR NGA

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Mbështetur nga

National Endowment for Democracy (NED)

AUTORË

Mirsada Hallunaj, Nino Strati

Shkarko

Barometri i Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP) është një projekt rajonal i zbatuar nga organizata lokale të shoqërisë civile, i cili mat perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për një gamë të gjerë çështjesh të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe çështje që lidhen me ndërtimin e paqes. BSBP ka një metodologji identike në të tri vendet, duke matur njëkohësisht perceptimet e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë për të njëjtat çështje. Rezultatet e BSBP do të publikohen në katër raporte të ndryshme për secilin vend. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) i është bashkuar Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP) për të dytin vit radhazi që nga viti 2021. Së bashku me Barometrin Kombëtar të Sigurisë që Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) ka prodhuar që nga viti 2019, ky projekt ka prodhuar një mori të dhënash, të cilat janë përdorur nga një gamë e gjerë aktorësh përfshirë politikëbërësit, ekspertët e sigurisë, akademia, mediat, donatorët ndërkombëtarë, etj. Edicioni rajonal mat jo vetëm perceptimin e qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve të tyre dhe çështjeve të sigurisë, por edhe perceptimet e tyre ndaj bashkëpunimit rajonal dhe konkretisht marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë. Raporti i parë ishte “Perceptimi ndaj sigurisë publike, kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë në Shqipëri” (2022). Ky është raporti i dytë “Perceptimi publik ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, si dhe çështjeve të korrupsionit në Shqipëri” 2022, i cili paraqet vetëm rezultatet për Shqipërinë Raporti është prodhuar në bazë të të dhënave të mbledhura nga një anketë e bazuar në kampion rastësor të shtresëzuar prej 1120 personash në moshë madhore kryer gjatë periudhës 23 shtator-2 tetor 2022 përmes intervistave ballë për ballë. Anketat u shpërndanë proporcionalisht në 61 bashki të Shqipërisë, duke marrë parasysh zonat rurale/urbane, gjininë dhe kuotat e moshës. Bazuar në këtë qasje të shtresëzuar kampionimi është arritur një përfaqësim i saktë gjeografik dhe demografik i popullsisë së rritur të Shqipërisë, duke ruajtur një marzh gabimi më të ulët se ± 2,9% për kampionin e përgjithshëm.

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga anketa e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e iniciuar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme lidhur me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.