14/02/2020
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
National Endowment for Democracy (NED)
Plator Avdiu
Në këtë drejtim, ky raport paraqet perceptimin e të anketuarve të Barometrit Kosovar të Sigurisë për vitin 2019 lidhur me ndarjen e Kosovës dhe autonominë territoriale, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilat perceptohen si kërcënime ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës nga shumica e të anketuarve. Në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi, raporti e adreson perceptimin e publikut lidhur me tarifat doganore të Kosovës ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe nëse tarifat i kanë dobësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë. Në lidhje me politikën e jashtme të Kosovës, raporti i pasqyron qëndrimet e të anketuarve sa i përket ndikimit të shteteve të huaja ndaj Kosovës.
Përveç interpretimit të përgjithshëm të të dhënave nga anketa për këto tema, raporti e jep një analizë të të dhënave të tërthorta tabelare në bazë të rajoneve, viseve rurale/urbane, ekuilibrit gjinor dhe përbërjes etnike të të anketuarve. Pasi që Barometri Kosovar i Sigurisë është realizuar në mes të tetorit 2019, ky raport nuk i pasqyron disa nga zhvillimet që kanë ndodhur nga muaji nëntor i vitit 2019 deri në janar të vitit 2020 në Kosovë.
Gjetjet kyçe të raportit janë renditur më poshtë:
- Korrupsioni në Kosovë perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të shtetit të Kosovës. Shumica dërmuese e të anketuarve ose 91.41 përqind e tyre e perceptojnë korrupsionin si rrezikun më të madh të brendshëm në Kosovë.
- Papunësia (90.98 përqind) renditet në vendin e dytë dhe krimi i organizuar (89.31 përqind) renditet në vendin e tretë si rreziqe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.
- Vlen të përmendet se çështjet më tematike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, më saktësisht ndarja e Kosovës ose shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (78.48 përqind) dhe autonomia territoriale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë (64.61 përqind) perceptohen nga të anketuarit si rreziqe të nivelit të lartë ndaj sigurisë kombëtare. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, shumica e qytetarëve janë në favor të rifillimit të dialogut. Pothuajse 50 përqind e të anketuarve deklaruan se dialogu duhet të vazhdojë.
- Ndërsa, 21 përqind e të anketuarve shprehën qëndrimet e tyre se dialogu duhet të kushtëzohet me njohje nga Serbia të pavarësisë së Kosovës dhe të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. Përkundër kësaj, pothuajse 15 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se dialogu nuk duhet të vazhdojë.
- Sa i përket tarifave doganore të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të anketuarit shprehën qëndrime të ndryshme. Perceptimi i 35.32 përqind e tyre është se tarifat duhet të mbeten në fuqi, ndërsa 32,97 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se tarifat duhet të zëvendësohen me aplikimin e masave të reciprocitetit të plotë të Kosovës ndaj Serbisë.
-Gjithashtu, rezultatet tregojnë se rreth 22 përqind e të anketuarve thanë se tarifat duhet të hiqen nga Qeveria e Kosovës.
- Gjetjet e edicionit të vitit 2019 të Barometrit Kosovar të Sigurisë tregojnë se të anketuarit shprehën perceptime të ndryshme lidhur me atë nëse tarifat doganore i kanë zbehur marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë. Kështu, rreth 33.47 përqind e të anketuarve nuk pajtohen që tarifat zbehën marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Sidoqoftë, rreth 30.28 përqind e tyre deri diku pajtohen dhe 27.33 përqind të tjera pajtohen se tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë i dobësuan lidhjet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
-Për sa i përket partnerëve strategjikë dhe aleatëve të Kosovës, të dhënat e anketës tregojnë se Gjermania (79.85 përqind), Shtetet e Bashkuara (78.60 përqind), Shqipëria (69.69 përqind) dhe Mbretëria e Bashkuar (62.85 përqind) perceptohen si shtetet më miqësore ndaj Kosovës.
-Nga ana tjetër, Serbia konsiderohet si shteti me ndikimin më të dëmshëm ndaj Kosovës nga 89.86 përqind e të anketuarve, e ndjekur nga Rusia (81.35 përqind) dhe Kina (59.61 përqind).