Perceptimet e qytetarëve të Kosovës për integrimin në BE, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin rajonal

21/07/2023

Perceptimet e qytetarëve të Kosovës për integrimin në BE, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin rajonal
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

National Endowment for Democracy (NED)

AUTORË

Dea Fetiu dhe Gramos Sejdiu

Shkarko

Ky raport i Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor analizon perceptimet e qytetarëve të Kosovës për integrimin në BE, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin rajonal

Gjatë periudhës sonë të anketimit, perceptimi publik për integrimin në BE ka pasur vazhdimisht një nivel të lartë mbështetjeje. Në vitin 2020, 92,5 përqind e qytetarëve shprehën mbështetje, e ndjekur me 92,3 përqind në vitin 2021 dhe 94,2 përqind në vitin 2022. Këto gjetje tregojnë një nivel të qëndrueshëm dhe të lartë të mbështetjes për procesin e integrimit, pa ndryshime të dukshme gjatë tre viteve të fundit. Duke iu referuar perceptimeve të qytetarëve për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut, pjesa e dytë e raportit nxjerrë në pah rritjen e mbështetjes për dialogun mes qytetarëve të Kosovës. Në vitin 2021, 74.3 përqind shprehën mbështetjen e tyre për dialogun, i cili u rrit në vitin 2022 në 83 përqind. Për më tepër, kapitulli prekë ndryshimin e këndvështrimeve të qytetarëve për ndikimin e dialogut në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ku 40 përqind e të anketuarve besojnë se është përmirësuar në vitin 2022 krahasuar me 14.6 përqind në vitin 2021. 

Shumica e të anketuarve (68.8 përqind) shprehën mbështetjen për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke treguar një prirje pozitive në mesin e popullatës së Kosovës. Për më tepër, të anketuarit shprehën vazhdimisht mbështetje për lëvizjen e lirë, shkëmbimin e informacionit dhe krijimin e një tregu të përbashkët për mallrat dhe fuqinë punëtore në Ballkanin Perëndimor. Për pyetjen specifike në lidhje me Iniciativën Ballkani i Hapur, përgjigjet ishin shumë të ndara dhe të ndryshme gjatë viteve, me nivele të luhatshme të mbështetjes dhe kundërshtimit. 

Në përgjithësi, gjetjet nxjerrin në pah aspiratën e fortë të qytetarëve të Kosovës për integrim në BE dhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u kuptuar kompleksiteti dhe sfidat e të dy proceseve. 

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga anketa e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e iniciuar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme lidhur me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.