30/06/2021
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
National Endowment for Democracy (NED)
Plator Avdiu
Seksioni i parë i raportit shqyrton nëse të anketuarit kosovarë besojnë në ekzistimin e pandemisë COVID-19, si dhe interpreton edhe perceptimet mbi mënyrën se si institucionet e Kosovës e kanë menaxhuar situatën e COVID-19 në periudhën marsshtator 2020. Seksioni i dytë shqyrton shkallën në të cilën COVID-19 ka ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve nga pikëpamja socio-ekonomike e deri te të drejtat e njeriut. Ndërsa, seksioni i tretë i raportit analizon perceptimet mbi ndikimin politik të vendeve/organizatave të huaja kundrejt Kosovës në trajtimin e COVID-19 si dhe ndihmën e tyre financiare e humanitare për Kosovën gjatë krizës së koronavirusit në Kosovë.
Sikurse dihet, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve në Kosovë kishin dyshime dhe ishin mosbesues ndaj ekzistimit të pandemisë së koronavirusit. Kjo ishte më e shprehur gjatë fazave të hershme të situatës së pandemisë, kur disa figura publike po bënin fushatë kundër masave parandaluese dhe mbrojtëse të Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së sëmundjes koronavirusit në vitin 2020. Kjo me sa duket ishte motivuar nga qarkullimi i dhjetëra lajmeve me tematikë konspirative dhe pseudoshkencore nëpër mediat kosovare që pohonin se pandemia COVID-19 nuk ekziston. Prandaj, qytetarët kishin prirje të besonin në fushatën konspirative dhe dezinformuese. Kjo shpjegon pse 1/3 e qytetarëve të intervistuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) përmes kësaj ankete gjatë muajve shtator-tetor 2020 u përgjigjën se nuk besojnë në ekzistimin e pandemisë COVID-19.
Për më shumë, QKSS vendosi të masë perceptimet e të anketuarve mbi këtë çështje specifike, si dhe mbi punën e institucioneve qendrore, lokale, të sigurisë dhe të shëndetit publik në lidhje me menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19, në mënyrë që të zbulojë perceptimet mbi këto çështje. Veç kësaj, kjo anketë mati edhe ndikimin socio-ekonomik të pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe perceptimet lidhur me mbështetjen/ndikimin e jashtëm në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19.
Vlen të përmendet se perceptimet e paraqitura në këtë raport u mblodhën nga Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS), një mjet i veçantë ky përmes të cilit QKSS për çdo vit mat perceptimet e publikut në Kosovë mbi besimin ndaj institucioneve dhe mbi çështje të lidhura me sigurinë, përfshi situatën e pandemisë në Kosovë. Në edicionin e dhjetë, BKS ka marrë përmasë rajonale dhe shënon edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë së Ballkanit Perëndimor (BSBP) të zbatuar njëkohësisht në Kosovë dhe në Serbi në shtator-tetor 2020.