Perceptimet e qytetarëve të Kosovës për ekstremizmin e dhunshëm dhe riintegrimin dhe rehabilitimin e të kthyerve

5/05/2022

Perceptimet e qytetarëve të Kosovës për ekstremizmin e dhunshëm dhe riintegrimin dhe rehabilitimin e të kthyerve
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

National Endowment for Democracy (NED)

AUTORË

Shpat Balaj

Shkarko

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta perceptojnë ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Shumica (76%) e të anketuarve të BSBP-së besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim të lartë ose kërcënim për Kosovën. Sa për format e ekstremizmit të dhunshëm, qytetarët e Kosovës e shohin dhunën në baza etnike/kombëtare si më kërcënuesen, me 42 për qind të të anketuarve që mendojnë se ajo paraqet kërcënim të lartë për sigurinë e Kosovës. Dhuna në baza politike perceptohet si kërcënim i lartë për sigurinë e Kosovës nga 38 për qind e të anketuarve të BSBP-së, ndërsa dhuna në baza fetare perceptohet si kërcënim nga 34 për qind e të anketuarve. Kosova, si shtetet tjera evropiane, është përballur me sfida sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në konfliktet e huaja. Të dhënat e BSBP-së tregojnë se 37 për qind e të anketuarve i shohin qytetarët që janë kthyer në Kosovë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak si kërcënim për vendin.

Përkundër sfidave, është e rëndësishme të theksohet se të dhënat e BSBP-së tregojnë se kosovarët e mbështesin punën e qeverisë së Kosovës për riatdhesimin e qytetarëve nga Siria. Kështu, 65 për qind e të anketuarve mbështesin riatdhesimin e të gjithë qytetarëve që janë ende në Siri, ndërsa 15 për qind mendojnë se duhet të riatdhesohen vetëm gratë dhe fëmijët e mbetur. Qëndrimet pozitive vërehen në perceptimet e qytetarëve për qasjen që duhet të zbatohet ndaj atyre që kthehen nga zonat e konfliktit në Siri. 75 për qind e të anketuarve besojnë se qasja/masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në riintegrim, për dallim nga 11 për qind që besojnë se të kthyerit duhet t’u nënshtrohen masave ndëshkuese dhe shtatë për qind e të anketuarve që besojnë se nuk ka nevojë për ndonjë masë specifike. Një rezultat mjaft shqetësues vërehet në lidhje me gatishmërinë e qytetarëve për t’i pranuar dhe mirëpritur sërish në komunitet fëmijët që janë kthyer nga Siria dhe Iraku. Në këtë aspekt, shumica e të anketuarve (57%) nuk do të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e riatdhesuar, pasi që besojnë se ata mund të kenë efekt negativ tek fëmijët e tjerë. Nga ana tjetër, 35 për qind e të anketuarve nuk do ta kishin problem të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e kthyer.

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga sondazhi i Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e filluar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, e mbështetur nga National Endowment for Democracy. NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.