Në edicionin e dhjetë, BKS ka marrë përmasa rajonale dhe shënon kështu edicionin e parë të Barometrit të Sigurisë së Ballkanit Perëndimor (BSBP) të zbatuar njëkohësisht në Kosovë dhe në Serbi në periudhën shtator-tetor 2020. 1 Ky raport shqyrton perceptimet e të anketuarve kosovarë për këto çështjet: i) bashkëpunimin bilateral të Kosovës, bashkëpunimin ndërkufitar dhe sigurinë rajonale, si dhe ii) qëndrimet e kosovarëve ndaj procesit të anëtarësimit në BE.
Gjetjet kryesore:
- Të dhënat e anketës tregojnë se ndikimi politik i Shqipërisë (82 përqind) dhe i Kroacisë (62 përqind) ndaj Kosovës perceptohet më se pozitivisht nga të anketuarit, duke qenë këta partnerët më miqësorë të Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
- Serbia perceptohet më negativisht në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të rajonit - rreth 90 përqind e të anketuarve e shohin ndikimin e saj politik si shumë negativ ose kryesisht negativ.
- Rreth 59 për qind e të anketuarve nuk do të pranonin të merrnin ndihmë nga institucionet e sigurisë së Serbisë në rast të një fatkeqësie emergjente ose natyrore/humanitare në Kosovë.
- Për bashkëpunimin policor ndërmjet Kosovës e Serbisë, rreth 31 përqind e të anketuarve janë të pakënaqur, krahasuar me 36 që e konsiderojnë atë të kënaqshëm. Vlen të theksohet se 32 përqind e të anketuarve nuk kanë informata nëse ka bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe asaj serbe.
- Vetëm 35 përqind e kosovarëve e perceptojnë si të mirë patrullimin e përbashkët të policisë kufitare të Kosovës e Serbisë, pavarësisht nga fakti se marrëveshja teknike Kosovë-Serbi për menaxhimin e integruar të kufirit është arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE para dhjetë vjetësh.
- Sa i përket anëtarësimit në BE, kosovarët janë ndër mbështetësit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor të integrimit në BE - gjithsej 92 përqind janë mbështetës të anëtarësimit të Kosovës në BE.
- Mbi ¾ e të anketuarve (77 përqind) janë optimistë se BE është e interesuar ta pranojë Kosovën si shtet anëtar në të ardhmen.
- Arsyeja kryesore për mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën nga BE-ja, sipas 65 përqind të të anketuarve, kryesisht i atribuohet diskriminimit dhe paragjykimeve të disa prej shteteve anëtare të BE-së ndaj Kosovës.
- Pothuajse gjysma e të anketuarve (48 përqind) e perceptuan përhapjen e gjerë të korrupsionit dhe aktivitetet krimit të organizuar si çështjet më sfiduese për anëtarësimin e Kosovës në BE. Dialogu aktual me Serbinë mbetet në vendin e dytë - vetëm 12 përqind e të anketuarve e rendisin atë si sfidë për anëtarësimin në BE.
Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal "Barometri i sigurisë për Ballkanin Perëndimor" i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).