QKSS organizon konferencën e rradhës të BSBP me të dhënat për Integrimin Evropian, Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe Bashkëpunimin Rajonal

13/06/2022

QKSS organizon konferencën e rradhës të BSBP me të dhënat për Integrimin Evropian, Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe Bashkëpunimin Rajonal

Sot, me datën 13 Qershor 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar një konferencë diskutimi ku edhe ka publikuar të dhënat në kuadër të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor (BSBP) ku përmbledhen perceptimet e qytetarëve të Kosovës mbi integrimin në BE, bashkëpunimin rajonal dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Pas prezantimit të gjetjeve të BSBP, konferenca u pasua me dy diskutime në panel.

Paneli i parë diskutoi mbi temën: “Realiteti dhe perceptimi në lidhje me integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal: ku qëndron Kosova”. Pjesë e këtij paneli ishin Lorena Sekiraqa (BPRG), Shqipe Mjekiqi (LDK), Visar Xhambazi (sBunker) dhe Ramadan Ilazi (moderator, QKSS).

Paneli i dytë shtjelloi më shumë gjetjet e BSBP për dialogun, me temën “Si të stimulohet dialogu i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?”. Në këtë panel morrën pjesë Jovana Radosavljevic (NSI), Dimal Basha (deputet, VV) dhe Violeta Haxholli (KDI). Ky panel u moderua nga Plator Avdiu (QKSS).

Në kuadër të diskutimeve në panel, panelistët shprehën nevojën për konkretizim të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Në takim u fol edhe për rritjen e përfaqësimit nga ana e Kosovës në nismat rajonale dhe nevojë për dialog më konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Raportet e plota për këto tema do të publikohen gjatë muajit në vazhdim, përderisa web-faqja zyrtare e BSBP ku do të paraqiten të gjitha të dhënat e mbledhura në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi do të lansohet gjatë kësaj jave.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor”. BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Ky projekt rajonal udhëhiqet nga QKSS me mbështetjen financiare të National Endoëment for Democracy (NED).