14/02/2020
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar më 14 shkurt konferencën “Faza finale: Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi” në të cilën është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe politikën e jashtme të Kosovës. Në këtë konferencë është publikuar raporti me të dhënat e Barometrit Kosovar të Sigurisë për opinionet e qytetarëve të Kosovës lidhur me rreziqet ndaj sigurisë kombëtare, dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe çfarë mendojnë të anketuarit lidhur me mundësinë e zbatimit të reciprocitetit të plotë të Kosovës ndaj Serbisë.
Panelistë të kësaj konferencë ishin deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli-Dalipi, drejtori i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), Igor Bandovic dhe Hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu.
Hulumtuesi i QKSS-së, Plator Avdiu, ka prezantuar gjetjet e raportit, ku sipas qytetarëve të anketuar në Kosovë, fenomeni i korrupsioni në Kosovë perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të shtetit të Kosovës. Shumica dërmuese e të anketuarve ose 91.41 përqind e tyre e perceptojnë korrupsionin si rrezikun më të madh të brendshëm në Kosovë. Ndërsa, papunësia (90.98 përqind) renditet në vendin e dytë dhe krimi i organizuar (89.31 përqind) renditet në vendin e tretë si rreziqe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.
Lidhur me çështjet e shumëpërfolura e që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi, siç kanë qenë ndarja e Kosovës ose shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (78.48 përqind) dhe autonomia territoriale/Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë (64.61 përqind) perceptohen nga të anketuarit si rreziqe të nivelit të lartë ndaj sigurisë kombëtare.
Pavarësisht kësaj, shumica e të anketuarve janë shprehur në favor të vazhdimit të dialogut, përkatësisht pothuajse 50 përqind e të anketuarve deklaruan se dialogu duhet të vazhdojë. Ndërkaq, 21 përqind e të anketuarve janë shprehur se dialogu duhet të kushtëzohet me njohje nga Serbia të pavarësisë së Kosovës dhe të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. Ndërsa, rreth 15 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se dialogu nuk duhet të vazhdojë.
Sa i përket tarifave doganore të Kosovës ndaj Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, të anketuarit shprehën qëndrime të ndryshme nëse taksa duhet të mbetet në fuqi ose nëse duhet të aplikohen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Perceptimi i 35.32 përqind të të anketuarve është se tarifat duhet të mbeten në fuqi, ndërsa 32,97 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se tarifat duhet të zëvendësohen me aplikimin e masave të reciprocitetit të plotë të Kosovës ndaj Serbisë. Përkundër kësaj, rreth 22 përqind e të anketuarve thanë se tarifat ndaj Serbisë duhet të hiqen nga Qeveria e Kosovës. Të pyetur nëse tarifat doganore kanë dobësuar marrëdheniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, të anketuarit kanë shprehur pikëpamje të ndryshme. Për më tepër, rreth 33.47 përqind e të anketuarve nuk pajtohen që tarifat zbehën marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Sidoqoftë, rreth 30.28 përqind e tyre deri diku pajtohen dhe 27.33 përqind të tjera pajtohen se tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë kanë dobësuar raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Për sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, sipas shumicës dërmuese të të anketuarve, Gjermania (79.85 përqind), Shtetet e Bashkuara (78.60 përqind), Shqipëria (69.69 përqind) dhe Mbretëria e Bashkuar (62.85 përqind) janë shtetet më miqësore të Kosovës dhe renditen si aleatët dhe partnerët më strategjikë të Kosovës. Ndërsa, Serbia konsiderohet si shteti me ndikimin më të dëmshëm ndaj Kosovës nga 89.86 përqind e të anketuarve, e ndjekur nga Rusia (81.35 përqind) dhe Kina (59.61 përqind).
Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli-Dalipi, që ishte paneliste në konferencë, deklaroi se gjetjet raportit të publikuar nga QKSS-ja reflektojnë gjendjen aktuale në Kosovë. Sipas saj, për qytetarët e Kosovës prioritet është luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimi i ligjit që pasqyrohet edhe nga anketa e Barometrit Kosovar të Sigurisë. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ajo konstatoi se Qeveria Kurti nuk do të ngutet dhe se nuk duhet të vendosen afate për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Për më tepër, deputetja Pacolli-Dalipi tha se ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës do të jetë vendosja e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, përderisa përmendi se duhet të nis edhe dialogu i brendshëm i Kosovës më pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Ajo bëri të ditur se institucionet e Kosovës nuk janë nën presion nga partnerët ndërkombëtare për të hequr taksën ndaj Serbisë me qëllim të rinisjes së dialogut me Serbinë.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), Igor Bandovic, theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i karakterizojnë ende armiqësitë e vjetra që po i pengojnë të dyja vendet në normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Në këtë drejtim, sipas tij, në Serbi ende dominon diskursi nacionalist ndaj Kosovës. Ai ka theksuar se Kosova dhe Serbia mund të mësojnë shumë nga shembulli i Maqedonisë Veriore që ka arritur marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit kushtetues, ndonëse rastet dallojnë prej njëra tjetrës. Ngjashëm si në Kosovë, Bandovic ka thënë se edhe në Serbi çështje me proritare për qyetarët në Serbi është lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik e demokratik .
Kjo konferencë është moderuar nga drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Mentor Vrajolli, ndërsa anketa e Barometrit Kosovar të Sigurisë është realizuar nga ekipi hulumtues i QKSS-së gjatë muajit tetor të vitit 2019.
Ky raport është publkuar në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë. Perceptimet e paraqitura në këtë raport janë përmbledhje e përgjigjeve të marra nga të anketuarit dhe tregojnë mënyrën si i perceptojnë ata institucionet. Ky nuk është vlerësim përfundimtar i punës së institucioneve që janë temë e këtij studimi. Raporti do t’u shërbejë atyre si instrument për të adresuar mangësitë e mundshme, por edhe si tregues i efektivitetit të komunikimit të tyre me qytetarët.
Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).