Kapitulli i parë i raportit shqyrton se sa të sigurt ndihen qytetarët në komunitetet e tyre përkatëse dhe Kosovë në përgjithësi. Për më tej, kapitulli i sigurisë publike përfshin perceptimin e qytetarëve për çështje të ndryshme që potencialisht rrezikojnë komunitetin. Kapitulli i dytë përbëhet nga perceptimet e qytetarëve se cilat janë kërcënimet kryesore të brendshme dhe të jashtme për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe paraqet mendimet e tyre se sa disa fenomene paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës. Gjetjet kryesore të këtij raporti janë:
- Të anketuarit ndjehen të sigurt në komunitetet e tyre të afërta. Megjthatë, rezultatet tregojnë prirjen që ndjenja e pasigurisë të rritet në një masë të vogël ndërsa të anketuarit zgjerohen përtej komuniteteve të tyre të afërta;
- Kur iu kërkua të identifikonin një kërcënim ndaj komunitetit pa pasur definim të ndonjë opsioni të paracaktuar se cilat do të ishin kërcënimet e mundshme, shumica e të anketuarve (43 përqind) deklaruan se nuk ka fare kërcënime brenda komuniteteve të tyre përkatëse;
- Kur u paraqitën opsione të paracaktuara për fenomene të ndryshme që potencialisht rrezikojnë komunitetin, 64 përqind e të anketuarve pohuan se emigrimi i qytetarëve të Kosovës është kërcënim i lartë ose kërcënim shumë i lartë për komunitetin;
- Kur iu kërkua të identifikonin kërcënimet kryesore të brendshme të sigurisë kombëtare, pa opsione të paracaktuara se cilat do të ishin kërcënimet e mundshme, 24 përqind e të anketuarve renditën korrupsionin/nepotizmin si kërcënimin kryesor të brendshëm;
- Kur të anketurve ju paraqitën opsione të paracaktuara për fenomene të ndryshme që potencialisht rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, 88 përqind e të anketuarve ndanë mendimin se papunësia është kërcënim i lartë ose shumë i lartë për sigurinë kombëtare të Kosovës;
- Lidhur me kërcënimet e jashtme të sigurisë kombëtare, 44 përqind e të anketuarve besojnë se Serbia është kërcënimi më i madh i jashtëm për sigurinë e Kosovës.
Ky raport është publikuar në kuadër të projektit rajonal "Barometri i sigurisë për Ballkanin Perëndimor" i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).