Publikimi i Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor mbi integritetin e institucioneve publike në Kosovë

2/03/2022

Publikimi i Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor mbi integritetin e institucioneve publike në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar rezultatet e raportit të parë në kuadër të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor mbi integritetin e institucioneve publike

Sot, me datën 02 Mars 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar rezultatet e raportit të parë në kuadër të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor mbi integritetin e institucioneve publike. Duke reflektuar opinionet dhe qëndrimet e qytetarëve, ky raport ofron bazën për projektimin e një qasjeje të qeverisjes dhe politikave me fokus te qytetari. Raporti përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë diskuton rezultatet e perceptimeve të publikut në Kosovë ndaj institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe institucioneve publike në nivelin qendror. Pjesa e dytë, shqyrton perceptimin e qytetarëve në lidhje me përhapjen e korrupsionit në institucionet publike, dhe pjesa e tretë fokusohet në perceptimet e qytetarëve lidhur me procesin e punësimit në administratën publike.

Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Presidenti i Kosovës dhe Komunat janë institucionet publike më të besuara në Kosovë, ku mbi 50 për qind e të anketuarve deklaruan se u besojnë apo u besojnë plotësisht këtyre institucioneve. Këto pasohen nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë me 45 për qind të të anketuarve që ndajnë një mendim të tillë. Nga ana tjetër, më pak se 40 për qind e të anketuarve deklaruan se u besojnë apo u besojnë plotësisht Gjykatave, Prokurorisë, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Rezultatet e raportit tregojnë se qytetarët e Kosovës i shohin institucionet e sigurisë më të besueshme me një nivel më të lartë besimi ndaj tyre, krahasuar me institucionet e tjera publike në Kosovë, siç janë institucionet e drejtësisë, të cilat qytetarët i perceptojnë si më pak të besueshme dhe me integritet të dobët. Besimi i qytetarëve në institucionet e gjykatave dhe prokurorisë në Kosovë është në rënie të vazhdueshme dhe kjo është shqetësuese. Qytetarët kanë shkallë më të lartë besimi te institucionet publike të nivelit qendror, veçanërisht në krahasim me vitin paraprak (2020), mirëpo, skepticizmi ndaj këtyre institucioneve mbizotëron në përgjithësi. 

Perceptimi i qytetarëve për praninë e korrupsionit në institucionet publike përkon me perceptimin e tyre për besimin tek institucionet. Sa më i ulët të jetë besimi ndaj një institucioni, aq më i lartë është perceptimi se korrupsioni është i pranishëm në institucionin përkatës. Në përputhje me këtë, institucionet e Sigurisë perceptohen të jenë më pak të korruptuara në krahasim me institucionet e tjera. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës perceptohen të jenë institucionet më pak të korruptuara me më pak se 25 për qind të të anketuarve që deklarojnë se këto dy institucione janë të korruptuara apo shumë të korruptuara, pasuar nga komunat me 33 për qind të të anketuarve që ndajnë mendimin se komunat janë të korruptuara. Nga ana tjetër, më shumë se 45 për qind e të anketuarve e perceptojnë Qeverinë e Kosovës, Gjykatat dhe Prokurorinë si të korruptuar dhe shumë të korruptuar. 

Së fundi, te të anketuarit e BSBP vërehet një nivel i lartë i skepticizmit lidhur me kompetencën e punonjësve të administratës publike. Shumica e të anketuarve të BSBP besojnë se vetëm një grup i vogël i individëve janë punësuar në administratën shtetërore thjesht në bazë të meritave dhe kualifikimeve. Ndonëse në nivel pak më të ulët, qëndrime të ngjashme janë të pranishme edhe në raport me institucionet e sigurisë. Më shumë se 50 për qind e të anketuarve mendojnë se vetëm një pjesë e të punësuarve në institucionet e sigurisë janë aty falë meritave dhe kualifikimeve.

Ky raport u publikua në kuadër të projektit “Barometri i Sigurisë i Ballkanit Perëndimor”. BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për çështje të ndryshme të lidhura me sigurinë, sundimin e ligjit, drejtësinë, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e paqes. Ky projekt rajonal udhëhiqet nga QKSS me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).

Raporti i plotë mund të shkarkohet në këtë link: Citizens perceptions of integrity of public institutions in Kosovo