21/12/2022
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot (21 dhjetor 2022) anketën e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 lidhur me besimin e të anketuarve në institucionet publike, si dhe perceptimet për korrupsionin dhe integritetin e administratës publike në vend.
Sipas anketës, institucionet e sigurisë kanë rezultuar se gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve në krahasim me institucionet tjera. Forca e Sigurisë së Kosovës është më e besueshmja me 83%, pasuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73% dhe Policia e Kosovës me 72%. Siç shihet, qytetarët u besojnë më së shumti këtyre tri institucioneve të uniformuara.Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përballen me skepticizëm e mungesë besimi për shkak se besimi në Gjykata dhe Prokurori nuk ka shënuar rritje as këtë vit. Shkalla e besimit në këto dy institucionet është 30%. Sa i përket institucioneve qendrore, Presidentja e Kosovës renditet me besim relativisht të lartë nga të anketuarit në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin. Rrjedhimisht, Presidentja gëzon besimin e 59% të të anketuarve, përderisa Kuvendi i Kosovës me vetëm 25% dhe Qeveria e Kosovës me 33% përkatësisht. Këto dy të fundit kanë shënuar rënie të besueshmërisë në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas të anketuarve, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të sigurisë kombëtare në Kosovë. 82% përmendën krimin e organizuar dhe 80% korrupsionin si dy fenomene që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë sundimin e ligjit në Kosovë. Veç kësaj, të anketuarit nuk ishin të kënaqur as me performancën e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit apo krimit të organizuar, ndërsa vetëm 30 për qind e vlerësuan këtë të fundit si të mirë.
Ky raport paraqet raportin e parë me të dhënat e vitit 2022 të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor të vitit.