Perceptimet e Qytetarëve për Sigurinë Publike dhe Kërcënimet ndaj Sigurisë Kombëtare në Kosovë

28/02/2023

Perceptimet e Qytetarëve për Sigurinë Publike dhe Kërcënimet ndaj Sigurisë Kombëtare në Kosovë
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

NED

AUTORË

Dea Fetiu, Dorjeta Rukiqi

Shkarko

Ky raport i Barometrit të Sigurisë së Ballkanit Perëndimor (BSBP) ofron një analizë të plotë të perceptimit të të anketuarve për kërcënimet e mundshme për sigurinë e tyre publike dhe sigurinë kombëtare në Kosovë në vitin 2022. Të anketuarit përgjithësisht ndihen të sigurt në komunitetet e tyre të ngushta. Megjithatë, ndjenja e sigurisë gradualisht zvogëlohet ndërsa komunitetet rriten. Rreth 77% e të anketuarve deklaruan se ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre, ndërsa ndihen më pak të sigurt në shtetin e tyre (rreth 33%). Perceptimet e të anketuarve midis viteve 2021 dhe 2022 tregojnë një rënie të vogël të ndjenjës së sigurisë publike; në BSBP-në e mëparshme më 2021, ishin respektivisht 79 përqind dhe 40 përqind e të anketuarve që deklaruan se ndjeheshin të sigurt në shtëpitë e tyre dhe në shtetin e tyre. Pothuajse gjysma e të anketuarve ndihen të sigurt në hapësirën kibernetike. Migrimi i të rinjve dhe profesionistëve (largimi i trurit) renditet si kërcënimi më i lartë për sigurinë publike, të cilin 83 përqind të të anketuarve e shohin si kërcënim ose kërcënim të lartë për komunitetet e tyre përkatëse. Kafshët endacake dhe abuzimi me drogën perceptohen gjithashtu si fenomene shumë kërcënuese. Për më shumë, të anketuarit përgjithësisht shqetësohen për mungesat e gjërave esenciale, por shqetësimet më të mëdha i shprehin për mungesën e energjisë elektrike. Në nivel kombëtar, të anketuarit i shohin çmimet e rritura të mallrave si kërcënimin më të lartë ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës, pasuar nga kriza energjetike. Ndotja dhe ndryshimet klimatike, ekstremizmi i dhunshëm dhe COVID-19 shihen si kërcënimet më të ulëta për sigurinë kombëtare. Kur u pyetën nëse COVID-19 vazhdon të rrezikojë shëndetin publik, pothuajse gjysma e të anketuarve u përgjigjën negativisht. Më tej, COVID-19 u rendit si kërcënimi më i ulët për sigurinë kombëtare të Kosovës. Mendimet janë disi të ndara kur bëhet fjalë për efikasitetin e vaksinës për pengimin e pandemisë COVID-19; megjithatë, 45 përqind e të anketuarve besojnë se vaksina kontribuoi në frenimin e pandemisë. Sipas të dhënave të anketës, shkaqet kryesore të dhunës në familje në Kosovë janë kushtet e këqija ekonomike dhe niveli i ulët arsimor. Të anketuarit besojnë se ngritja e cilësisë së arsimit, dhe organizimi i më shumë fushatave vetëdijësuese janë disa nga masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.

Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë nga anketa e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (BSBP). BSBP është një nismë e re rajonale e iniciuar nga QKSS në vitin 2020, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) në Serbi dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Shqipëri, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). BSBP shërben si një instrument për të matur perceptimet e publikut në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për çështje të ndryshme lidhur me sigurinë. Të dhënat tregojnë se si qytetarët i perceptojnë apo informohen rreth çështjeve të paraqitura në këtë raport. Si të tilla, pikëpamjet e paraqitura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e QKSS, BCSP, CSDG ose NED.