27/06/2023
Në kuadër të projektit Gratë, Paqja dhe Siguria, u mbajt takimi i rradhës joformal mes grave të komunitetit dhe institucioneve komunale në Komunën e Prizrenit, në bashkëpunim me Zyrën për Barazi Gjinore të kësaj Komune. Qëllimi kryesor i takimit ishte informimi i grave të komunitetit në lidhje me punën e Mekanizmit Lokal Koordinues kundër Dhunës në Familje dhe punën e Komunës në përgjithësi për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës në baza gjinore.
Në takim morrën pjesë përfaqësues të Komunës së Prizrenit, përfaqësues të Policisë nga njësiti kundër dhunës në familje, Qendra për Punë Sociale, Agjensia për Ndihmë Juridike Falas, Strehimorja e Prizrenit, anëtarë të shoqërisë civile dhe qytetare të kësaj Komune.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e koordinimit të mirë të institucioneve që luftojnë dhunën në baza gjinore në këtë Komunë dhe rëndësia e shkëmbimit të informatave mes këtyre institucioneve. Një ndër sfidat kryesore, ngjashëm me komunat tjera, u identifikua mungesa e stafit dhe punëtorëve socialë në Qendrën për Punë Sociale, që e bën të pamundur punën e shpejtë dhe pengon dhënien e shërbimeve për të gjitha kategoritë sociale.
Përfaqësuesit e QPS-sëshpalosën të gjithë procedurën se si trajtohen të mbijetuarit e dhunës në baza gjinore, hapat që duhet të ndërmerren nga të gjitha institucionet dhe tregoi për mbrojtjen dhe ndihmën që ofron ky institucion për qytetarët e kësaj komune. Përfaqësuesit e QPS-së më tej bënë thirrje për raportim të rasteve të dhunës nga momenti që shfaqet dhuna, duke qenë se në të shumtën e rasteve, raportimet vijnë pas përjetimit të dhunës për një kohë më të gjatë.
Po ashtu, nga QPS u diskutua edhe për ndihmën sociale për të mbijetuarat e dhunës, dhe u pa si problem fakti që të mbijetuarave në rast strehimi në strehimore u ndërpritet ndihma sociale që e marrin nga shteti si kategori sociale. Buxheti i strehimoreve është një ndër problemet tjera të rëndësishme, me të cilat përballet edhe kjo Komunë.
Agjensia për Ndihmë Juridike Falas tregoi për procedurat për kërkimin e ndihmës juridike falas, dhe bëri thirrje te pjesëmarrësit për të shfrytëzuar këtë mundësi, e cila ju takon të gjithë të mbijetuarve të dhunës në familje, pa dallim të kushteve ekonomike.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) 'EJA Kosovo', i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedi dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgu.