16 Ditët e Aktivizimit: Takim me gra në Obiliq kundër Dhunës në Familje

25/11/2022

16 Ditët e Aktivizimit: Takim me gra në Obiliq kundër Dhunës në Familje

QKSS-ja shënoi ditën e parë të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” duke organizuar takim me gra dhe përfaqësues të institucioneve në komunën e Obiliqit, në kuadër të projektit Gratë, Paqja dhe Siguria, takim ky i zhvilluar në bashkëpunim me Zyren për Barazi Gjinore të komunës në fjalë. Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të Policisë së Kosovës, të Qendrës për Punë Sociale, njërës prej strehimoreve në Prishtinë si dhe përfaqësues nga zyrat dhe drejtoritë komunale, nga shoqëria civile dhe qytetarë nga kjo komunë.

Gjatë takimit u prekën tema të ndryshme që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore me të cilën përballen qytetarët e kësaj komune. Ndër të tjera, u diskutua rreth rëndësisë së raportimit të rasteve të dhunës në institucionet përkatëse, mekanizmat përmes së cilave mbrohen viktimat e dhunës në familje si dhe rëndësinë e instiucioneve – duke filluar nga Policia dhe Qendrat për Punë Sociale deri te strehimoret – në trajtimin dhe parandalimin e kësaj dukurie shoqërore.

Gratë pjesëmarrëse u informuan detajisht rreth hapave të cilat mund t’i ndërmarrin në rast se ato apo të afërmit e tyre janë të mbijetuara të dhunës në familje, përfshi mënyrën se si dhe ku ato mund t’i raportojnë rastet, ndihma që u ofron Qendra për Punë Sociale në trajtimin e pasojave të dhunës së ushtruar ndaj tyre si dhe shërbimet të cilat mund t’i marrin nga strehimoret. Sipas zyrtares për barazi gjinore të Komunës së Obiliqit, kjo komunë ka qenë ndër të parat në Kosovë që ka bërë financimin e strehimoreve, duke shtuar se Komuna u ka ofruar strehim të përhershëm tre viktimave të rasteve të rënda të dhunës në familje.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.