16/05/2022
Me 14 maj 2022, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka organizuar trajnimin një-ditor me gazetarë dhe redaktorë të mediumeve të ndryshme në Kosovë për mbrojtjen nga dezinformimi. Ky aktivitet kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve të angazhuar në portalet online në Kosovë, në lidhje me mbrojtjen ndaj përhapjes së dezinformimit.
Synimi i trajnimit ishte sensibilizimi i gazetarëve dhe redaktorëve rreth mënyrave se si përhapet dezinformimi në Kosovë, identifikimi i grackave të dezinformimit të cilat janë sfiduese gjatë raportimit nga gazetarët dhe trajnimi rreth metodave mbrojtëse kundër shpërndarjes së keqinformimit dhe dezinformimit. Këto cështje u trajtuan duke i vënë theks të vecantë raportimit për shëndetësinë publike.
Trajnimi u zhvillua në dy pjesë ku fokusi fillestar ishte në praktikat e sigurta të raportimit në situatat e krizave, njohuritë elementare dhe teknikat e mbrojtjes së sigurisë fizike dhe shëndetit në punë gjatë raportimit. Në anën tjetër, pjesa e dytë e trajnimit u fokusua në raportimin e sigurtë në situata të emergjencave shëndetësore ku u ndanë përvojat e gazetarëve në menaxhimin e “Infodemisë” gjatë pandemisë COVID-19 dhe luftimi i lajmeve të rreme rreth shëndetit publik.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Pandemia COVID-19 në Kosovë: Identifikimi dhe Trajtimi i Fushatave të Dezinformimit” i mbështetur nga Balkan Trust for Democracy (BTD), projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe USAID-it.