13/05/2022
Në kuadër të programit Gjinia, Paqja dhe Siguria, QKSS mbajti takimin e rradhës në Komunën e Gjilanit. Në takim morrën pjesë të gjithë përfaqësuesit e Mekanizmit Komunal kundër Dhunës në Familje të Komunës së Gjilanit, të cilët njoftuan pjesëmarrësit nga afër me punën që bëjnë në këtë drejtim.
Pjesëmarrësit e Mekanizmit Komunal potencuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes organeve të këtij mekanizmi dhe referimin e drejtë të punëve, si nevojë bazë për funksionimin efikas të tij. Komuna e Gjilanit njoftoi pjesëmarrësit për planet që kanë në vitin 2022 rreth rregullimit të çështjes së banesave sociale dhe pagesës së qirave për gratë viktima të dhunës në familje. Në Gjilan u cilësua si shumë sfidues trajtimi i viktimave të dhunës që kanë probleme të rënda shëndetësore dhe mendore, pasi që edhe strehimi i tyre nuk mund të mundësohet në kushtet që kanë tani strehimoret.
Problem tjetër nga publiku dhe përfaqësuesit e Mekanizmit Komunal shihet edhe mungesa e një plani afatgjatë të rehabilitimit dhe riintegrimit të viktimave në shoqëri, pas përfundimit të qëndrimit në strehimore. Gjendja e rëndë ekonomike, papunësia dhe mungesa e arsimimit shihen si faktorë që e rëndojnë shumë gjendjen e viktimave dhe që ndonjëherë detyrojnë kthimin e tyre në vendet e dhunës. Komuna e Gjilanit ofroi bashkëpunim të mëtejmë në lidhje me përmirësimin e gjendjes së viktimave të dhunës në familje, si dhe me fushatat sensibilizuese për parandalim të këtij fenomeni. Lufta kundër dhunës në familje u cilësua si një kauzë e përbashkët ku i gjitëh komuniteti duhet të angazhohet, pa dallim gjinie apo moshe.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.