Takimi në Kamenicë kundër dhunës ndaj gruas

26/05/2022

Takimi në Kamenicë kundër dhunës ndaj gruas

QKSS po vazhdon organizimin e takimeve me gra dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe institucioneve komunale për të diskutuar rreth dhunës në familje dhe sfidat gjatë përballjes me këtë problem. Takimi i fundit u mbajt të mërkuren, më 25 maj 2022, në Komunën e Kamenicës, në bashkëpunim me Njësinë e të Drejtave të Njeriut të kësaj komune. 

Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale.  Në takim u diskutua për mungesën e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje në këtë komunë, por megjithatë u potencua bashkëpunimi shumë i mirë që kanë institucionet lokale gjatë përballjes me këtë problem.

Sipas të dhënave nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, në Kamenicë nuk ka shumë raste të dhunës në familje kur krahasohet me Komunat tjera, por rekomandohet punë më e madhe në ngritjen e vetëdijes për këtë fenomen negativ.  Një problem tjetër që u potencua është mungesa e konfidencialitetit gjatë raportimit të rasteve, dhe ndërhyrjes së mediave dhe shpalosjes së të dhënave personale të viktimave dhe kryesve. Sipas pjesëmarrësve, një gjë e tillë po i dekurajon viktimat të lajmërojnë rastet, por edhe personat e tretë që të lajmërojnë rastet e dhunës në familje.

Edhe në Kamenicë, pjesëmarrësit mendojnë se trajtimi i kryesve të dhunës është një problem kryesor zgjidhja e të cilit mund të zvogëlojë rastet e përsëritura të dhunës. Po ashtu, banimi social dhe strehimi i viktimave pas përfundimit të qëndrimit në strehimore, mbetet problem shumë i theksuar edhe në këtë komunë.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.