Konsultimi Nacional me Qytetarë: Qytetarët, Ekspertët dhe Institucionet në Formësimin e së Ardhmes së Kosovës

23/05/2025

Konsultimi Nacional me Qytetarë: Qytetarët, Ekspertët dhe Institucionet në Formësimin e së Ardhmes së Kosovës

Të enjten, më 22 maj, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoj Konsultimin Nacional me Qytetarë në kuadër të projektit REACH në Hotel Garden në Prishtinë. Ky konsultim gjithëpërfshirës shënoi një moment kyç të projektit, duke mbledhur aktorë kombëtarë për të diskutuar sfidat strategjike dhe prioritetet politike të vendit. 

Ngjarja mblodhi mbi 30 pjesëmarrës, përfshirë të rinj, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë institucionalë. Përmes sesioneve të strukturuara në grupe dhe dialogut të drejtuar drejt konsensusit, pjesëmarrësit bashkëpunuan për të shndërruar mendimet dhe rekomandimet e qytetarëve nga konsultimet lokale në propozime konkrete për politika të ardhshme. 

Tre temat kryesore që udhëhoqën diskutimet ishin: 

Sundimi i Ligjit, me theks në forcimin e integritetit gjyqësor, transparencës dhe llogaridhënies institucionale; 

Integrimi Evropian, që trajton rrugën e reformave të Kosovës dhe përputhjen me vlerat dhe standardet e BE-së; 

Mbrojtja e Mjedisit, që shqyrton nevojën për zhvillim të qëndrueshëm, qëndrueshmëri klimatike dhe qeverisje efektive mjedisore. 

Fjalët hyrëse u mbajtën nga Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv i QKSS. Më pas, Ramadan Ilazi, Hulumtues i Lartë në QKSS, prezantoi gjetjet nga konsultimet lokale. Adelina Hasani, Zyrtare e Projektit, prezantoi metodologjinë e punës dhe udhëhoqi pjesëmarrësit gjatë sesioneve të punës në grupe. Ngjarja u përmbyll me një sesion të ndërtimit të konsensusit, ku pjesëmarrësit përzgjodhën 10 rekomandimet kombëtare më të rëndësishme që do të përfshihen në publikimin e ardhshëm të politikave për Kosovën. 

Ky konsultim rikonfirmoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në formësimin e politikave gjithëpërfshirëse, demokratike dhe të bazuara në prova për të ardhmen e Kosovës. 

Ky aktivitet financohet nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo të Agjencisë Ekzekutive për Arsimin, Kulturën dhe Audiovizualin (EACEA). Bashkimi Evropian dhe EACEA nuk mbajnë përgjegjësi për asnjë përdorim të mundshëm të informacionit të përfshirë.