16 Ditët e Aktivizmit- Takim me gra dhe përfaqësues të institucioneve në Komunën e Skenderajt

8/12/2022

16 Ditët e Aktivizmit- Takim me gra dhe përfaqësues të institucioneve në Komunën e Skenderajt

QKSS ka organizuar një takim tjetër me gra dhe përfaqësues të institucioneve, në Komunën e Skenderajt, në bashkëpunim me Zyrën për Barazi Gjinore të kësaj komune, përgjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Në këtë takim, gratë pjesëmarrëse patën rastin të bashkëbisedojnë me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile dhe aktivistëve feministë të kësaj komune, Strehimores, Qendrës për Punë Sociale, Avokatin e Popullit, dhe përfaqësuesit e kësaj Komune, në lidhje me sfidat e sigurisë që kanë, me theks të veçantë në dhunën në bazë gjinore. 

Përfaqësuesit e policisë në këtë komunë shprehën gatishmërinë e tyre dhe prioritizimin e trajtimit të të gjitha rasteve të dhunës në familje. Policia dhe Zyra për Barazi Gjinore, po ashtu bënë thirrje ndaj pjesëmarrësve që të raportojnë të gjitha rastet e dhunës. 

Një nga problemet që u cek gjatë takimit ishte edhe mosndarja e barabartë e pronave dhe trashëgimisë për dy gjinitë, meqë edhe në këtë komunë gratë shumë më rrallë i gëzojnë të drejtat e trashëgimisë sesa burrat. Kjo pastaj ndikon edhe në mungesë të pavarësisë ekonomike të grave, që në raste të dhunës në familje vështirëson riintegrimin në shoqëri.  

Problemi tjetër është tek mentaliteti patriarkal dhe paragjykues, që bën përcaktimin e “roleve gjinore”. Sipas pjesëmarrësve, problemi dhe paragjykimet për gratë e vajzat fillojnë që nga lindja e tyre, ku fillon trajtimi jo i barabartë në krahasim me djemtë. Ky fenomen u konsiderua si alarmant dhe u kërkua nga komuna dhe shoqëria civile që të bëhet më shumë për ngritje të vetëdijes. 

Shoqëria civile dhe gratë kërkuan nga Komuna që të bëhen më shumë dëgjime buxhetore para miratimit të buxhetit, për të përfaqësuar interesat e grave të kësaj komune dhe për të dedikuar më shumë mjete buxhetore për të adresuar shqetësimet e sigurisë së tyre. 

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.