8/12/2022
Në kuadër të projektit “De-Radikalizimi në Evropë dhe më gjerë: Zbulim, Zgjidhje dhe Ri-integrim (DRad)”, QKSS, sot, më 8 dhjetor 2022, organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Si të adresohet (de)radikalizimi në mënyrë efektive nga këndi i politikë-bërjes: trendet dhe praktikat e mira”, gjatë së cilës u shpalosën trendet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për adresimin efektiv të fenomenit të (de)radikalizimit në shoqërinë kosovare si dhe u diskutua lidhur me çështjet e ri-socializimit dhe ri-integrimit të personave të radikalizuar në Kosovë nga perspektiva e politikë-bërjes.
Gjatë pjesës së parë të kësaj tryeze, Dr Umut Korkut - udhëheqës i projektit DRad dhe njëkohësisht Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Shkollën për Biznes dhe Shoqëri në Universitetin Glasgow Caledonian, prezantoi projektin DRad dhe diskutoi lidhur me shkaqet dhe shtytësit e radikalizimit. Dr Doga Atalay, hulumtues i projektit DRad nga po ky univerzitet, prezantoi kornizën konceptuale të zhvilluar në kuadër të projektit, përmes së cilës radikalizimi si fenomen kuptohet përmes qasjes së përfshirjes sociale. Tutje, Znj. Teuta Avdimetaj – gjithashtu hulumtuese e këtij projekti – prezantoi të gjeturat kryesore të raportit të publikuar në kuadër të projektit DRad, të titulluar “Trendet e Radikalizimit në Kosovë”. Në fund të pjesës së parë, hulumtuesja e projektit nga Izraeli Znj. Sophia Solomon prezantoi përmes platformës Zoom të gjeturat e raportit hulumtues në Izreal me temë “Inteligjenca Artificiale dhe (De)Radikalizimi”.
Në pjesën e dytë të kësaj tryeze u zhvillua paneli i diskutimit me përfaqësues të institucioneve vendase dhe përfaqësues të shoqërisë civile, lidhur me çështjet e ri-socializimit dhe ri-integrimit të personave të radikalizuar në Kosovë nga perspektiva e politikë-bërjes. Panelistja Znj. Shkurte Krasniqi-Thaqi nga Divizioni për Parandalim dhe Ri-integrim të Personave të Radikalizuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme foli për rolin e këtij Divizioni dhe mekanizmat ekzistues për ri-integrim dhe ri-socializim të personave të radikalizuar. Panelisti Z. Bekim Gashi – Udhëheqës i Njësisë për Inteligjencë Korrektuese në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK) i shpalosi arritjet dhe sfidat më të mëdha të ShKK-së në adresimin e çështjeve të rehabilitimit dhe ri-integrimit. Tutje, teologu dhe gazetari Z. Fitim Flugaj diskutoi lidhur me rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në parandalimin e radikalizimit në shoqërinë kosovare dhe mbrojtjen e komunitetit nga format e ndryshme të radikalizimit. Në fund, njohësi i çështjeve të sigurisë Z. Nuredin Ibishi diskutoi lidhur me atë se çfarë mësime mund të nxjerrin shtetet e BE-së nga rasti i Kosovës në aspektin e rehabilitimit dhe ri-socializimit të personave të radikalizuar.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike, përfshi këtu Ministrinë e Punëve të Brendshme, ShKK-së dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës, si dhe përfaqësues nga organizatat jo-qeveritare dhe misionet ndërkombëtare.
Projekti “De-Radikalizimi në Evropë dhe më gjerë: Zbulim, Zgjidhje dhe Ri-integrim (DRad)” implementohet në kuadër të skemës RIA - Iniciativa per Hulumtime dhe Inovacion, pjesë e Horizon2020 e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe e koordinuar nga Universiteti Glasgow Caledonian.