Vlerësimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Mekanizmave Evropianë të Mbrojtjes, përfshirë EDA-n, me theksin tek Kosova

27/04/2026

Vlerësimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Mekanizmave Evropianë të Mbrojtjes, përfshirë EDA-n, me theksin tek Kosova
E PUBLIKUAR NGA

QENDRA KOSOVARE PER STUDIME TE SIGURISE

Mbështetur nga

Konrad Adenauer Stiftung (KAS) in Kosovo

AUTORË

Tringa Naka, Mentor Vrajolli

Shkarko

Peizazhi i politikës së mbrojtjes të Bashkimit Evropian ka pësuar një transformim dramatik që nga nisja e luftës nga Rusia për pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, e cila ka sjellë atë që Këshilli Evropian e quajti një ‘ndryshim tektonik në historinë evropiane’2 që e riformoi rrënjësisht qasjen e kontinentit ndaj sigurisë dhe mbrojtjes. Ky ndryshim gjeopolitik përshpejtoi transformimet e iniciuara nga Strategjia Globale e BE-së e vitit 2016, e cila avokonte për ‘autonomi strategjike’. 3 Gjithsesi, në kontekstin aktual qasja është bërë dukshëm më e vendosur për shkak të shqetësimeve të mirëfillta për sigurinë evropiane. Kështu, vetëm disa javë pasi Rusia filloi luftën për pushtimin e Ukrainës, BE-ja miratoi Busullën Strategjike për Sigurinë dhe Mbrojtjen, një plan ambicioz veprimi që synonte përmirësimin e Politikës së BE-së për Sigurinë dhe Mbrojtjen.4 Kështu u udhëhoq me sukses integrimi fillestar i sigurisë dhe prokurimi i përbashkët i bllokut përpara se të vazhdohej me Librin e Bardhë për Mbrojtjen Evropiane dhe Planin ReArm Europe (Gatishmëria 2030) në mars 2025.

Plani i fundit ReArm Europe është veprimi më ambicioz deri më sot që rezulton në zotime të paprecedentë për gatishmërinë e mbrojtjes, duke mobilizuar mbi 800 miliardë euro për të forcuar infrastrukturën e mbrojtjes dhe bazën industriale të Evropës.5 Për Ballkanin Perëndimor, ky ndryshim strategjik paraqet mundësi dhe sfida, pasi që gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – gjenden në faza të ndryshme të integrimit në mekanizmat e mbrojtjes të BE-së, veçanërisht bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes (EDA).

Ky punim analizon transformimin e shpejtë të sektorit të mbrojtjes të BE-së dhe eksploron mundësitë në rritje për bashkëpunim substancial ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë tek Kosova. Synimi i punimit është t’u jepet përgjigje disa pyetjeve kyçe të hulumtimit: Si ka ndryshuar politika e mbrojtjes dhe mekanizmat e bashkëpunimit të BE-së që nga viti 2016 dhe në çfarë mënyrash është përshpejtuar ky proces që nga viti 2022? Cilat janë qëllimet dhe mjetet e përshkruara në Librin e Bardhë për Mbrojtjen Evropiane dhe iniciativën ReArm Europe? Si e lehtëson BE-ja bashkëpunimin me vendet jo-anëtare të BE-së, siç janë ato në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht me Kosovën, përmes Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes dhe mekanizmave të tjerë? Çfarë precedentësh ekzistojnë për angazhimin e Ballkanit Perëndimor me strukturat e mbrojtjes të BE-së? Më e rëndësishmja, cilat rrugë realiste dhe ligjërisht ose politikisht të mundshme janë në dispozicion për Kosovën, marrë parasysh që nuk ka as status të shtetit anëtar dhe as status të shtetit kandidat të BE-së dhe kufizimet që rezultojnë nga mosnjohja?

Kjo analizë shqyrton dokumentet e politikave të BE-së, konkluzionet e Këshillit, kornizat e EDA-s, dokumentet strategjike, literaturën akademike dhe intervistat e ekspertëve me zyrtarë nga Ministritë e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Kosovës (shkurt 2026). Punimi është i strukturuar sipas 4 seksione kryesore. Seksioni i parë analizon kontekstin e përgjithshëm të transformimit të sektorit të mbrojtjes të BE-së, me fokus të veçantë nga viti 2016 deri më sot. Seksioni i dytë ofron një hartëzim të shpejtë të instrumenteve dhe iniciativave kyçe BE-së në fushën e mbrojtjes dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje në to apo jo. Seksioni i tretë analizon pozicionin e secilit vend të Ballkanit Perëndimor në lidhje me bashkëpunimin me BE-në në fushën e mbrojtjes. Seksioni i katërt fokusohet tek Kosova, duke analizuar kontekstin specifik të zhvillimit të sektorit të mbrojtjes dhe gjendjen aktuale në këtë sektor, pozicionin aktual, si dhe duke identifikuar opsione konkrete të politikave për bashkëpunim të zgjeruar me EDA-n dhe mekanizmat më të gjerë të mbrojtjes të BE-së.

Mohim i përgjegjësisë: Pikëpamjet e shprehura në këtë dokument janë të autorit dhe nuk paraqesin medoemos pikëpamjet e Konrad-Adenauer-Stiftung. Ky botim i Konrad-Adenauer-Stiftung shërben vetëm për qëllime informative. Ai nuk mund të përdoret nga partitë politike ose nga aktivistët apo mbështetësit zgjedhorë për qëllime të reklamës zgjedhore.