VIZITË STUDIMORE NË SELINË E NATO-S, DIVIZIONI PËR DIPLOMACI PUBLIKE

17/11/2016

VIZITË STUDIMORE NË SELINË E NATO-S, DIVIZIONI PËR DIPLOMACI PUBLIKE

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me mbështetje të Divizionit për Diplomaci Publike të NATO-s ka organizuar një vizitë studimore dyditore në Zyrat Qendrore të NATO-s në Bruksel.

Qëllimi i kësaj vizitë është që të mbledhë së bashku dhjetë përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe akademia, si dhe përfaqësues kyç të NATO-s për të diskutuar dhe ndarë përvojat e tyre rreth çështjeve më të rëndësishme lidhur me aspiratat Euro- Atlantike të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite dyditore, grupi ka pasur mundësi që të informohet nga përfaqësuesit special, krerët e misioneve dhe delegacione të ndryshme rreth një liste shumë të gjerë temash duke filluar nga sfidat globale të sigurisë dhe kërcënimeve në periudhën pas Samitit të Varshavës. Temat kryesore të diskutimit kanë qenë marrëdhëniet BE dhe NATO, Rusia dhe NATO, Operacionet në Lindjen e mesme të përcjellura nga diskutimet për perspektivën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në NATO.  Fokus i veçantë i është kushtuar diskutimit mbi operacionet e NATO-s me theks në ekipin këshillues të KFOR-it dhe NATO-s në Kosovë. Krahas kësaj, është organizuar edhe një tryeze diskutimi joformale mbi bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor me delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Si pjesë e ndarë në këtë vizitë studimore, QKSS në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, ka organizuar një koktej pritës me delegacionet përkatëse të NATO-s dhe BE-së në Bruksel, gazetarë dhe akademikë me qëllim për të shkëmbyer ide mbi perspektivat e BE-së dhe NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë.