24/04/2012
Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në Prishtinë është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Rruga e Kosovës drejt programit të NATO-s Partneritet për Paqe”.
Kjo tryezë ka pasur për qëllim që për herë të parë të trajtojë sfidat e integrimit të Kosovës në strukturat e NATO-s duke bërë hapin e parë të integrimit në “Partneritetin për Paqe” dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n. Ministri i FSK-së, Agim Çeku shpalosi vizionin e Qeverisë së Kosovës për integrim në NATO-n. Ai theksoi se në nivelin institucional Kosova ka bërë përparime dhe ka plotësuar kushtet për inicimin e partneritetit me NATO-n megjithatë problemet mbetën në nivelin politik, ku qëndrimi i katër shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën paraqet problem kyç. Dy hartuesit e këtij hulumtimi, Mentor Vrajolli dhe Pëllumb Kallaba kanë potencuar nevojën e avokimit për përfshirjen e Kosovës në nisma të NATO-s duke u bazuar në përfitimet që ofrojnë programet e kësaj organizate, për FSK-në si dhe për shoqërinë civile. Në këtë kontekst, sipas udhëheqësit të hulumtimeve në QKSS, Pëllumb Kallaba, gjatë muajit Mars QKSS kishte avokuar në selinë e NATO-s dhe në disa organizata të shoqërisë civile në Bruksel lidhur me nevojën për të krijuar marrëdhënie partneriteti mes Kosovës dhe NATO-s, gjithnjë me synim të largimit të Kosovës nga koncepti i menaxhimit të krizave drejt një shteti që është në gjendje të eksportoj siguri. Përveç Ministrit Çeku, në këtë tryezë ishin pjesëmarrës edhe Ambasadori i Norvegjisë, i Britanisë së Madhe, Belgjikës, Zëvendës Ambasadorja e Çekisë në Kosovë, Atasheu Ushtarak i Ambasadës Amerikane dhe asaj të Suedisë.
Qëllimi i këtij hulumtim dhe kësaj tryeze ka qenë nisja e një debati të ri për nxitjen e përpjekjeve të Qeverisë dhe implementimin e vizionit strategjik për integrime euro-atlantike. Pjesëmarrësit ndër të tjera përshëndetën vendimin për nisjen e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë si dhe konkretizimin e përpjekjeve për një mandat ushtarak të FSK-së në të ardhëm e afërt. Shumica e të pranishmëve u pajtuan me faktin se për të arritur progres në proceset e integrimeve Euro-Atlantike, krahas konsensusit dhe mbështetjes së jashtme, nevojitet edhe angazhimi i duhur i brendshëm gjithë institucional por edhe më gjerë, duke përfshirë këtu shoqërinë civile, qarqet akademike dhe mediat të cilët mund të jenë influencues ne nxitjen dhe mbarëvajtjen e këtyre proceseve.
Në përgjithësi, kjo konferencë paraqet vetëm fillimin e përpjekjeve të QKSS-së për të avokuar në nxitjen dhe përshpejtimin e dinamikës së proceseve integruese të Kosovës brenda familjes Veri-Atlantike. Andaj QKSS synon që të angazhohet edhe më intensivisht në të ardhmen që të ju bëjë me dije si institucioneve vendore ashtu edhe atyre ndërkombëtare për hapat e domosdoshëm që duhet ndërmarr me qëllim që Kosova të avancoj në të gjitha proceset e rëndësishme integruese. Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që ky angazhim i përbashkët të vazhdojë edhe në të ardhmen.