28/03/2012
Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në Prishtinë është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Nxitja e mbikëqyrjes së inteligjencës në Kosovë: ndërmjet transparencës dhe sekretit.”
Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, ka prezantuar të gjeturat e raportit analitik “Qeverisja e AKI-së” si pjesë e projektit të DCAF-it për Fuqizimin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës në Ballkanin Perëndimor. Me gjithë konsolidimin e vazhdueshëm të AKI-së, hulumtimi ka theksuar kryesisht mungesën e transparencës si dhe rëndësinë dhe rrolin e bashkëpunimit mes trekëndëshit Kuvend, AKI dhe Shoqëri Civile.
Qëllimi i kësaj tryeze është orientuar në vlerësimin e mbikëqyrjes së AKI-së duke u bazuar në hulumtimin e QKSS-së; të fuqizoj bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile në mbikëqyrjen e AKI-së, të shkëmbehen njohuritë dhe përvojat me ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar nga shoqëria civile dhe Kuvendi lidhur me qeverisjen e sektorit të sigurisë; si dhe të shkëmbehen njohuritë dhe përvojat me ekspertët ndërkombëtarë lidhur me angazhimin e organeve mbikëqyrëse të inteligjencës me publikun. Kjo tryezë është ndarë në tri panele duke filluar nga “Konsolidimi i mekanizmave dhe mjeteve në mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës – Mësimet nga Kosova” me c’rast kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, z. Florin Krasniqi, ka theksuar se Kosova ka humbur mjaft nga mungesa e debatit profesional në drejtim të fuqizimit të mbikëqyrjes së inteligjencës, duke u fokusuar shumë në çështjet e politikës ditore. Përkundër bashkëpunimit të mirë mes AKI-së dhe Komisionit Parlamentar, sipas z. Krasniqi, AKI duhet të mbetet një institucion kombëtar pa ‘partizime’ dhe politizim të brendshëm, si rrezik potencial që i kanoset këtij institucioni. Kryeinspektori i AKI-së, z. Agron Selimaj, ka theksuar se AKI është e hapur për bashkëpunim brenda mandatit dhe kufizimeve që i ka, kurse ka kundërshtuar në parim nevojën për të pasur transparencë më të madhe. Sipas tij, kufiri rreth transparencës dhe sekretit është edhe çështje perceptimi, prandaj ky debat do të ekzistoj edhe në të ardhmen. z. Selimaj ka përgëzuar fillimin e një debati të vlefshëm nga QKSS dhe ka inkurajuar ngritjen e rrolit të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Tryeza e rrumbullakët ka diskutuar edhe angazhimin e shoqërisë civile me parlamentin në qeverisjen e sektorit të sigurisë, si dhe angazhimin me publikun të organeve të mbikëqyrjes së inteligjencës. Përveç anëtarëve të Komisionit, në këtë tryezë kanë marrë pjesë disa ekspertë ndërkombëtarë si Agnes Vadai – ish zv. Ministre e Mbrojtjes e Hungarisë dhe ish shefe e Komisionit për Siguri Nacionale në Kuvendin Nacional të Hungarisë, aktualisht deputete në Kuvendin Nacional të Hungarisë, Aidan Wills, ekspert nga DCAF, Dyfian Jones, ekspert i mbikëqyrjes parlamentare nga Mbretëria e Bashkuar si dhe Arjan Durmishi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.