Tryezë e rrumbullakët: Publikimi i Doracakut rreth Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë

9/03/2023

Tryezë e rrumbullakët: Publikimi i Doracakut rreth Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me datë 9 mars 2023 organizoi tryezën e rrumbullakët për publikimin e raportit “Doracaku rreth Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”. Qëllimi i kësaj analize të shkurtër është të ofrojë një pasqyrë koncize për motivet individuale dhe kolektive që shtyen një pjesë të qyterarëve të Kosovës t’i bashkangjiten organizatave terroriste në Lindje të Mesme.

Një pasqyrë e tillë e rrethanave shtytëse është e domosdoshme për ta kuptuar kontekstin në të cilin bëhet rehabilitimi dhe reintegrimi i qytetarëve të Kosovës të riatdhesuar nga vatrat e luftës. Ky doracak, përkundër fokusit në fenomenin e radikalizimit islamist që çon në ekstremizëm të dhunshëm definon edhe tipologjitë e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, të cilat aktualisht përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës. Në fund, doracaku përmbledhë definicionet dhe terminologjinë bazike për nevojat e Shërbimit Sprovues dhe Korrektues të Kosovës në përpjekje për të standardizuar qasjen e shërbyesve të SHSK-së në përballje me individët që kalojnë nëpër këtë shërbim drejt rehabilitimit dhe reintegrimit të tyre në shoqëri dhe për ta lehtësuar komunikimin.

Doracaku rreth terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë u prit shumë mirë nga institucionet e shtetit si: Shërbimi Sprovues i Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme të cilët theksuan se ky dokument do të ndihmoj institucionet e vendit të kuptojnë më mirë ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, si dhe termet dhe definicionet e këtij fenomeni. Ata vlerësuan se dokumenti do të ndihmoj zyrtarët sprovues dhe korrektues në kuptimin më të mirë të definicioneve që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin dhe do të ndihmojnë punën e tyre gjatë trajtimit të rasteve tek të dënuarit për vepra të terrorizmit.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit ‘Rritja e aftësive të Shërbimit Sprovues të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm’ i mbështetur nga Mbretëria e Holandës dhe Ambasada Britanike në Prishtinë.