18/12/2024
Më 18 dhjetor, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbajti një tryezë të rrumbullakët në komunën e Graçanicës. Kjo është tryeza e dytë e rrumbullakët që po zhvillohet në një komunë me diversitet etnik, si pjesë e projektit të mbështetur nga National Endowment for Democracy me titull “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë në dialogun ndëretnik”. Fokusi kryesor i tryezës ishte adresimi i sfidave me të cilat përballen njerëzit në Graçanicë, si në sektorin ekonomik, arsimor, dhe shëndetsor, por edhe në aspektin ndëretnik. Ngjarja pati prezencën e punëtorëve lokalë komunalë dhe të rinjve, duke shfaqur perspektiva dhe rekomandime të ndryshme në lidhje me një të ardhme më të mirë për Graçanicën. Diskutimin e moderoi Jeta Loshaj, hulumtuese në QKSS, më pas pati fjalë hyrëse Leutrim Aliu, nënkryetar i Komunës së Graçanicës dhe nga Petar Gjorgjeviq, anëtar i Rinisë Aktive të Graçanicës.
QKSS ndau përvojën e mbajtjes së tryezës së kaluar në Kamenicë, ku marrëdhëniet e mira ndëretnike duket se janë një element kryesor i jetës së përditshme. Pjesëmarrësit në Graçanicë i bënë jehonë këtij perceptimi, madje njëri prej tyre deklaroi se bashkëjetesa ndëretnike është pjesë e pandashme e Graçanicës.
Sfidat e përbashkëta të komunës
Sa i përket jetesës në Graçanicë, pjesëmarrësit përmendën mungesën e mundësive të punësimit, duke përmendur sektorin privat si një nga më të pazhvilluarit. Komuna e Graçanicës ofron grante për startup-et dhe bizneset që kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm. Megjithatë, siç përmendi një pjesëmarrës dhe punëtor komunal, njerëzit thjesht aplikojnë për grante dhe rrallë e bëjnë punën që kërkohet më pas. Sektori privat është thellësisht i pazhvilluar, ndërsa sektori publik nuk ka kapacitet për të punësuar të gjithë. Një pjesëmarrës, i cili punon edhe si bletërritës, përmendi mungesën e interesimit të njerëzve për të punuar në fusha që nuk janë mjekësi apo arsim.
Burokraci të ndryshme janë gjithashtu shumë sfiduese. Nostrifikimi i diplomave u mor si shembull, ku shumica e pjesëmarrësve ranë dakord se pengesat gjuhësore luajnë rolin e tyre në vështirësimin e procesit.
Roli i dezinformatave
Dezinformimi, sipas pjesëmarrësve, është mjaft i pranishëm brenda komunitetit. Një pjesëmarrës përmendi të moshuarit që lexojnë gjëra në internet dhe i marrin si të vërteta. Për më tepër, përdorimi i internetit me qëllime keqdashëse nuk është i pazakontë. Pjesëmarrësit folën për mediumet kryesore që përdorin banorët e Graçanicës për t'u informuar, duke filluar nga mediat lokale deri te mediat si Kosovo Online, RTS, Dnevnik dhe shumë të tjera. Vlen të përmendet se mediat serbe i marrin si burim lajmet e tyre mediat shqiptare dhe anasjelltas.
Ballafaqimi me të kaluarën
Trashëgimia e luftës, ballafaqimi me të kaluarën dhe se si diskutohet, shihet si diçka që shfrytëzohet nga “momenti politik”, siç tha një pjesëmarrës. Është diçka që e ndjek rininë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht viteve të gjata që kanë kaluar. Agnesa, një pjesëmarrëse dhe studente e sociologjisë, tha se ndonjëherë janë njerëzit që nuk kanë kaluar kurrë luftën janë ata që priren të jenë më nacionalistë. Ajo shihet si një rezonancë me historinë e tyre dhe jo si përvojë. Ajo mori një shembull nga vendlindja e saj, Prizreni, qytet i njohur për komunitetin e tij multietnik.
Perspektiva drejt së ardhmes
Si përfundim, shumica e rekomandimeve që u përmendën ishin që partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të shtyjnë për hapjen e fabrikave, duke përmendur nevojën për komunikim midis komuniteteve. Këto mundësi të reja pune do t'u jepnin njerëzve mundësinë për të udhëtuar dhe për të takuar njëri-tjetrin. Një pjesëmarrës tregoi historinë e mikut të tij shqiptar që shkoi të specializohej për licencë në Beograd. Ndërsa në fillim ishte mjaft i kujdesshëm, ai më pas deklaroi se Beogradi dhe njerëzit atje ishin në të vërtetë shumë pozitivë. Diskutimi përfundoi me një atmosferë pozitive, me një përkushtim për nxitjen e ndërveprimit dhe bashkëpunimit të mëtejshëm pozitiv ndërmjet komuniteteve.
Kjo tryezë e rrumbullakët për komunitete ishte e dyta nga gjashtë tryezat e planifikuara për t'u mbajtur nëpër komuna të ndryshme në Kosovë, të cilat janë pjesë e projektit të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Ky projekt do të zbatohet gjatë gjithë vitit 2024/2025 dhe ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të gjendjes së marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë me objektivin përfundimtar të sugjerojë rrugën përpara për një dialog të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të hapur ndërmjet komuniteteve ndëretnike, institucioneve qeveritare, dhe shoqërinë civile në Kosovë.