26/04/2023
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Kundër Terrorizëm (ICCT) nga Holanda, ka filluar trajnimin dy-ditor me Shërbimin Sprovues të Kosovës (ShSK) dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK) për hartimin e programeve të rehabilitimit dhe ri-integrimit (R&R) e personave të radikalizuar. Ligjerues në këtë trajnim janë: Skënder Përteshi, hulumutues në QKSS, Adrian Shtuni, ekspert dhe konsulent për çështjet e terrorizmit, Dr. Joana Cook, Profesore e lëndës së Terrorizmit dhe Dhunës Politike në Universitetin e Leiden dhe Méryl Demuynck, bashkëpunëtore hulumtuese në ICCT.
Tematikat e trajtuara gjatë këtij trajnimi do të jenë sfidat e një programi të suksesshëm të R&R në Kosovë, praktikat e mira të rehabilitimit dhe ri-integrimit të cilat mund të zbatohen ë Kosovë, si dhe mbështetja që nevojitet për të zbatuar për programet e R&R për personat e radikalizuar apo të dënuar për vepra të terrorizmit. Më tej pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zgjerojnë njohuritë rreth monitorimit të impaktit të programeve të rehabilitimit dhe ri-integrimit për të dënuarit për vepra të terrorizmit. Pjesë kryesore e trajnimit do të jetë komponenta gjinore në cështjet e rehabilitimit dhe ri-integrimit.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit ‘Rritja e aftësive të Shërbimit Sprovues të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm’ i mbështetur nga Mbretëria e Holandës dhe Ambasada Britanike në Prishtinë.