Konferenca Permbyllëse e Projektit DRIVE

28/04/2023

Konferenca Permbyllëse e Projektit DRIVE

Përfaqësuesit e QKSS-së kanë marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit DRIVE (Shkëputja dhe Rehabilitimi i Ekstremistëve të Dhunshëm Islamistë), në Bruksel. DRIVE është një projekt evropian që synoi zbutjen e kërcënimeve që lidhen me luftëtarët e huaj dhe ekstremistët islamikë, përmes përmirësimit të praktikave efektive të Shkëputjes, Rehabilitimit dhe Riintegrimit (SH-R-R) bazuar në trajtimin me njeriun në qendër dhe përfshirjen e komuniteteve lokale dhe akterëve publikë. Për këtë qëllim, projekti DRIVE ka punuar për identifikimin dhe përhapjen e praktikave dhe politikave më të mira në lidhje me programet për SH-R-R, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe forcimin e këtyre praktikave nëpërmjet zhvillimit të moduleve specifike të trajnimit dhe fushatave të targetuara të shpërndarjes.

Konferenca përmbyllëse e projektit kishte për qëllim të shpaloste gjetjet e projektit, gjatë hulumtimit të politikave dhe gjendjes në Ballkanin Perëndimor dhe tri shtetet e Bashkimit Evropian që ishin të përfshira në këtë projekt, para institucioneve Evropiane dhe palëve të tjera të interesit. 

Konferenca përfshiu tri panele diskutimi. Në panelin e parë u diskutua për temën “Luftëtarët e Huaj Terroristë- Kush dhe Çka?”, nga Dr Thomas Renard (ICCT) dhe Dea Fetiu (QKSS). Paneli i dytë shtjelloi temën “Menaxhimi i Sigurisë së Luftëtarëve të Huaj Terroristë”, nga Nico Braspenning (FOD Justitie), Reka Varga (Egmont Institute), dhe Afrodita Musliu (Nexus). Paneli i fundit diskutoi politikat e Holandës, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për “Rehabilitimin dhe Riintegrimin në komunitet për Luftëtarët e Huaj Terroristë” nga panelistët Shpat Balaj (QKSS), Fenna Canters (Radar Advies), dhe Benjamin Plevljak (CSS).

Hulumtimet dhe trajnimet e mbajtura përgjatë projektit DRIVE mund të gjinden në webfaqen: https://drive-ontherightpath.eu/the-project/