Takimi në Suharekë me komunitetin e grave dhe përfaqësuesit e institucioneve lokale

3/03/2022

Takimi në Suharekë me komunitetin e grave dhe përfaqësuesit e institucioneve lokale

QKSS ka nisur implementimin e aktiviteteve të projektit “Gratë, Paqja dhe Siguria” kundër dhunës ndaj grave në Kosovë i cili ka për qëllim të identifikojë sfidat me të cilat përballen gratë dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka nisur implementimin e aktiviteteve të projektit “Gratë, Paqja dhe Siguria” kundër dhunës ndaj grave në Kosovë i cili ka për qëllim të identifikojë sfidat me të cilat përballen gratë dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt e të drejtë për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Marrë parasysh që dhuna ndaj vajzave dhe grave në Kosovë, qoftë në familje ose ambiente të tjera (punë, rrugë etj.) është një fenomen që fatkeqësisht po shënon rritje nga viti në vit, atëherë QKSS përmes këtij projekti po avokon në funksion të sigurisë më të madhe për gratë, parandalimin dhe luftimin e çfarëdolloj dhunë ndaj tyre dhe përfshirjen më aktive e të mirëfilltë të tyre në jetën publike e shoqërore në përgjithësi e në sektorin e sigurisë në veçanti (Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës) deri në nivelet e larta të vendimmarrjes. 

Për këtë qëllim, QKSS është duke mbajtur takime në të gjitha komunat e Kosovës me komunitetin e grave për të diskutuar lidhur me shqetësimet e tyre në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kur përballen me dhunë familjare dhe forma të tjera të dhunës, mbrojtjen e viktimave të dhunës, integrimin e tyre në shoqëri dhe adresimin e të gjitha problemeve e sfidave tjera që ballafaqohen ato. Për këto takime QKSS ka konsoliduar Forumin e Sigurisë me Gratë për diskutimin e hapur të shqetësimeve me të cilat përballen gratë në rrafshin e sigurisë. Andaj, në kuadër të këtij projekti QKSS-ja ka mbajtur takimin e parë të enjten, më 3 mars, në Komunën e Suharekës me vajzat dhe gratë e vendeve rurale e urbane të Suharekës, gratë e komuniteteve pakicë në Suharekë, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e Komunës së Suharekës. 

Sipas përfaqësuesve institucioneve lokale të sigurisë, në Suharekë ka rritje të numrit të rasteve të dhunës familjare gjatë vitit 2021 dhe në periudhën janar-shkurt 2022, përderisa vërehet tendencë në rritje e vetëdijesimit për raportimin e rasteve në Polici. Zyrtarët komunalë theksuan se Komuna e Suharekës ka mekanizmin e vet kundër dhunës në familje i krijuar tash e disa vite që jep rekomandime konkrete për parandalimin e dhunës kundër grave. Gratë që morën pjesë në këtë takim deklaruan se në Kosovë ende dominon mendësia patriarkale dhe se ende duhet të bëhet punë e madhe nga të gjithë për vetëdijesimin e grave lidhur me të drejtat e tyre për punë, trashëgimi, pasuri të përbashkët dhe çështje të tjera me rëndësi. Gjithashtu, gratë kërkuan nga institucionet komunale dhe Policia që të ofrojnë më shumë siguri dhe mbrojtje për gratë, veçanërisht për ato që janë viktima të dhunës familjare dhe dhunës së formave të tjera. Ndërsa, disa nga rekomandimet e nxjerra gjatë takimit ishte se duhet të ketë takime të tilla edhe më shpesh për nxitjen e komunikimit dhe diskutimit të hapur mes grave me institucionet komunale, Policinë, Prokurorinë dhe mekanizma të tjerë lokal. 

QKSS, përmes këtij projekti, do të organizojë takime të tilla në të gjitha komunat e Kosovës për të senzibilizuar dhe ngritur vetëdijen kundër dhunës ndaj grave në Kosovë dhe integrimin sa më të madh të vajzave e grave në shoqërinë kosovare. 

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.