4/03/2022
QKSS) ka vazhduar me organizimin e aktiviteteve të projektit “Gratë, Paqja dhe Siguria” kundër dhunës ndaj grave në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti, QKSS-ja ka mbajtur takimin e radhës të premten, më 4 mars 2022, në Komunën e Vitisë me vajzat dhe gratë e vendeve rurale e urbane të kësaj komune, gratë e komuniteteve pakicë në Viti, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e Komunës së Vitisë.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka vazhduar me organizimin e aktiviteteve të projektit “Gratë, Paqja dhe Siguria” kundër dhunës ndaj grave në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti, QKSS-ja ka mbajtur takimin e radhës të premten, më 4 mars 2022, në Komunën e Vitisë me vajzat dhe gratë e vendeve rurale e urbane të kësaj komune, gratë e komuniteteve pakicë në Viti, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e Komunës së Vitisë.
Në bazë të konstatimeve të përfaqësuesve të institucioneve lokale të sigurisë, në Viti ka rritje të numrit të rasteve të dhunës familjare gjatë vitit 2021 deri më tash me gjithsej 45 raste me motive të dhunës ndaj grave, ndërsa është ngritur vetëdija për raportimin e rasteve të tilla në Policinë e Kosovës. Gratë që morën pjesë në këtë takim theksuan se në Kosovë ende dominon mendësia patriarkale dhe se ende duhet të bëhet punë e madhe nga të gjithë për vetëdijesimin e grave lidhur me të drejtat e tyre për punë, trashëgimi, pasuri të përbashkët dhe çështje të tjera me rëndësi. Gjithashtu, gratë kërkuan nga institucionet komunale dhe Policia që të ofrojnë më shumë siguri dhe mbrojtje për gratë, veçanërisht për ato që janë viktima të dhunës familjare dhe dhunës së formave të tjera.
Gjithashtu, u kërkua që komunat të kenë një fond të veçantë për mbështetjen e grave viktima të dhunës në familje dhe që në rastet kur raportohet dhuna në familje të jenë prezent të gjithë mekanizmat tjerë, si përfaqësues të Qendrave Sociale, avokatët mbrojtës të viktimave e mekanizma tjerë. Të pranishmit treguan se një numër shumë i madh i rasteve nuk raportohen për faktin se gratë nuk kanë siguri për të raportuar rastet, nuk kanë pavarësi ekonomike dhe tentojnë të mos i raportojnë rastet më qëllim të “ruajtjes së familjes” dhe të cilat detyrohen për një kohë të gjatë të durojnë dhunën psikike e fizike. Pos kësaj, gjatë këtij takimi pjesëmarrësit kërkuan koordinim më të mirë institucional në nivel qendror e lokal për të adresuar ketë fenomen, sidomos ngritjen e vetëdijes së komunitetit kundër dhunës në familje. Ndër të tjera si shkaktar të përhapjes së dhunës në familje u theksua mendësia patriarkale, mungesa e pavarësisë ekonomike e grave, papunësia e madhe, mos-planifikimi i duhur familjar, mungesa e ndëshkimit ligjor etj.
Ndërsa, disa nga rekomandimet e nxjerra gjatë takimit ishte se duhet të ketë takime të tilla edhe më shpesh për nxitjen e komunikimit dhe diskutimit të hapur mes grave me institucionet komunale, Policinë, Prokurorinë dhe mekanizma të tjerë lokal.
QKSS, përmes këtij projekti, do të organizojë takime të tilla në të gjitha komunat e Kosovës për të senzibilizuar dhe ngritur vetëdijen kundër dhunës ndaj grave në Kosovë dhe integrimin sa më të madh të vajzave e grave në shoqërinë kosovare.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.