Takim në Mitrovicë kundër dhunës ndaj gruas

20/04/2022

Takim në Mitrovicë kundër dhunës ndaj gruas

Në kuadër të projektit Gender and Security, QKSS mbajti takimin e rradhës me komunitetin e grave dhe me përfaqësues institucional në Komunën e Mitrovicës.

Në këtë takim u diskutua rreth sfidave të sigurisë me të cilat përballen grate në Komunën e Mitrovicës, me theks të veçantë me dhunën në familje. Në këtë diskutim u ofruan perspektivat e përfaqësuesve të policisë dhe akterëve të tjerë të rëndësishëm, si dhe të komunitetit të grave në Mitrovicë në lidhje me sfidat me të cilat ata përballen gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Drejtoresha Rajonale e Policisë, znj. Afërdita Mikullovci potencoi rritjen e madhe të numrit të të mbijetuarave të dhunës përgjatë periudhës së izolimit në vitin 2020. Më tej, znj. Mikullovci tha se numri i rasteve po shkon në një trend të rritjes dhe se sfidë shihet edhe e ardhmja e grave të mbijetuara pas raportimit të rasteve. Një rekomandim që erdhi nga pjesëmarrësit, në këtë pike, ishte themelimi i një qendre rehabilitimi për trajtimin e kryesve të dhunës në familje, në mënyrë që të parandalohet recedivizmi dhe të mundësohet një e ardhme më e sigurt për të mbijetuarat.

Në takim më tutje u diskutua për mungesën e kushteve elementare me të cilën përballet strehimorja për të mbijetuarat e dhunës në familje. Strehimorja e Rajonit të Mitrovicës strehon 60 deri në 80 gra me staf minimal dhe me mungesë të sigurisë. Një rregullim i gjendjes së të mbijetuarave të dhunës në familje gjatë qëndrimit të tyre në strehimore, dhe ofrimi i një zgjidhjeje afatgjate pas përfundimit të periudhës që qëndrojnë në strehimore shihet si një nevojë jetike dhe urgjente.

Problem tjetër i identifikuar, ngjashëm me komunat e tjera ku janë mbajtur takimet, është edhe mungesa e fuqizimit ekonomik të grave dhe edukimi i tyre, si bazë kyçe e emancipimit të shoqërisë dhe parandalimit të këtij fenomeni negativ.

QKSS, përmes këtij projekti, do të organizojë takime të tilla në të gjitha komunat e Kosovës për të senzibilizuar dhe ngritur vetëdijen kundër dhunës ndaj grave në Kosovë dhe integrimin sa më të madh të vajzave e grave në shoqërinë kosovare.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.