Takim në Gjakovë kundër dhunës ndaj gruas

4/04/2022

Takim në Gjakovë kundër dhunës ndaj gruas

1 prill 2022

Komuna e Gjakovës është prej komunave me numrin më të madhe të rasteve dhunës familjare në Kosovë, u konstatua në takimin e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me komunitetin e grave dhe institucionet lokale në Gjakovë. 

Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, në Gjakovë ka pasur rritje të dukshme të rasteve të dhunës familjare sipas përfaqësuesve të Policisë së Kosovës dhe Komunës së Gjakovës. Derisa në vitin 2020 në Gjakovë ishin raportuar në polici 144 raste të dhunës në familje, në vitin 2021 ishte raportuar 157 të tilla në këtë komunë. Policia si institucioni kryesor ku raportohen rastet e dhunës në familje e konsideruan si shqetësuese rritjen e rasteve, ndonëse theksuan se raportimi i rasteve dëshmon se femrat dhe gratë në rajonin e Gjakovës janë emancipuar për të mos fshehur raste të tilla kur ato ndodhin, si dhe është tregues se qytetarët besojnë në punën e Policisë së Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës familjare, gjegjësisht dhunën ndaj grave. 

Komuniteti i grave të pranishme në këtë takim vlerësuan pozitivisht punën e policisë në luftimin e dhunës ndaj grave në Gjakovë, ndërsa ndër shkaktarët kryesorë të dhunës familjare theksuan mentalitetin patriarkal në Kosovë dhe mospranimin nga ana e burrave se gratë duhet të gëzojnë pavarësi financiare e në sfera të tjera sa i përket emancipimit të tyre në shoqëri. Nga ana tjetër, përfaqësues të Gjykatës Themelore të Gjakovës që trajtojnë raste të tilla potencuan se së pari këto raste iniciohen nga policia të cilat pastaj trajtohen në gjykatë, ndërsa të gjitha viktimat trajtohen në mënyrë të duhur për shkak të gjendjes së rënduar emocionale si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre dhe se gjithmonë shoqërohen nga mbrojtësit e viktimave. 

Drejtuesit e Komunës së Gjakovës deklaruan se dhuna kundër grave nis kur gratë fillojnë të kërkojnë të drejtat e tyre që u takojnë me qëllim të emancipimit në shoqëri për të sfiduar, siç përmendën, dominimin shekullor të burrave. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua për atë se si institucionet e nivelit qendror dhe lokal nuk mund ta luftojnë të vetme dhunën familjare pa rolin edhe të akterëve tjerë, siç janë organizatat joqeveritare për të avokuar kundër formave të dhunës ndaj familjes dhe grave. 

QKSS, përmes këtij projekti, do të organizojë takime të tilla në të gjitha komunat e Kosovës për të senzibilizuar dhe ngritur vetëdijen kundër dhunës ndaj grave në Kosovë dhe integrimin sa më të madh të vajzave e grave në shoqërinë kosovare. 

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.