Takim në Komunën e Vushtrrisë kundër Dhunës në Familje

20/10/2022

Takim në Komunën e Vushtrrisë kundër Dhunës në Familje

QKSS po vazhdon organizimin e takimeve me gra, përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe institucioneve komunale për të diskutuar rreth dhunës në familje dhe sfidat gjatë përballjes me këtë problem. Takimi i fundit u mbajt të martën, më 20 tetor 2022, në Komunën e Vushtrrisë

Në takim ishin pjesëmarrës Drejtoresha e Administratës së Komunës, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, përfaqësues nga Zyrja për Mbrojtjen e Viktimave, përfaqësues nga Shtëpia e Sigurtë në Mitrovicë, Zyrëtarja për Barazi Gjinore në kuadër të Komunës dhe me aktiviste nga organizatat joqeveritare të kësaj komune.

Gjatë diskutimit u paraqitën problemet e shumta që institucionet hasin në parandalimin e dhunës në familje, prej kushteve ekonomike e deri tek problemet esenciale si ngrohja e objekteve dhe mungesa e veturave zyrëtare. Më tej u parashtrua nevoja për rritjen e komunikimit ndër-institucional sidomos për çështjet sensitive si dhuna në familje dhe rifunksionalizimi i viktimave në shoqëri. Problemi kryesor i mekanizmave parandalues dhe reagues ishte mungesa e linjave buxhetore nga komunat në rajon.

Shkaqet kryesore të dhunës, të identifikuara gjatë takimit ishin kushtet ekonomike, përdorimi i substancave narkotike dhe alkoolit dhe fëmijët të cilët rriten në ambiente ku dhuna në familje është e shprehur, në këtë formë duke normalizuar një sjellje e cila vazhdon në moshën madhore. U theksua brenga për rritjen e rasteve të dhunës në familje, prej 30% gjatë pandemisë në 40% në 10 mujorin e parë të vitit 2022. Qytetarët që morrën pjesë në takimin shprehën vullnetin e vazhdueshëm për të luftuar këtë dukuri dhe morrën konfirmimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve përkatëse në luftën kundër dhunës në familje.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.