Takim në Komunën e Fushë Kosovës për të diskutuar për dhunën në familje

14/10/2022

Takim në Komunën e Fushë Kosovës për të diskutuar për dhunën në familje

Në kuadër të projektit Gratë, Paqja dhe Siguria, QKSS ka vazhduar të organizojë takime me gra dhe zyrtarë të institucioneve vendore për të analizuar shqetësimet e sigurisë me të cilat përballen gratë. Takimi kësaj radhe u zhvillua në Komunën e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e Komunës për Barazi Gjinore. Në takim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, përfaqësues nga zyrat dhe drejtoritë komunale, nga shoqëria civile dhe qytetarë nga kjo komunë.

U diskutuan sfidat që kanë banorët e Fushë Kosovës gjatë raportimit të rasteve të dhunës në familje dhe mentaliteti patriarkal dhe stigma me të cilën përballen gratë që raportojnë dhunën konsiderohen si dy çështjet kryesore që i shtyjnë gratë të mos raportojnë rastet e dhunës në familje.

Për më tepër, rritja e madhe e popullsisë së kësaj komune në vitet e fundit, si dhe mungesa e zyrtarëve të rinj në Qendrën për Punë Sociale, por edhe në pjesë të tjera të mekanizmit, ka ndikuar që këto institucione të kenë mungesë të kapaciteteve të nevojshme për t'u marrë me të gjitha rastet e dhunës në mënyrë të përshtatshme.

Gjithashtu u theksua se duhet bërë më shumë përpjekje për të informuar të gjithë qytetarët për punën e institucioneve dhe mbrojtjen që mund t'u ofrohet të mbijetuarve të dhunës në familje, duke pasur parasysh se shumë qytetarë nuk dinë se ku ta raportojnë dhunën dhe si të përfitojnë mbrojtje nga ky fenomen.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.