Konferencë e nivelit të lartë për pasojat e status-quo-së potenciale në dialogun Kosovë-Serbi

29/03/2022

Konferencë e nivelit të lartë për pasojat e status-quo-së potenciale në dialogun Kosovë-Serbi

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Iniciativën e re Sociale (NSI) dhe me mbështetjen e Ambasadës Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë organizuan sot një konferencë të nivelit të lartë për të diskutuar mbi pasojat nga një vazhdimësi potenciale e status-quo-së në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Konferencën e hapi Sh.T. Z. Alan Bowman, ambasador i Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, ku theksoi rëndësinë që dialogu të ketë sukses. Pas fjalës hyrëse, udhëheqësi i hulumtimeve në QKSS, Dr Ramadan Ilazi, prezantoi disa nga gjetjet nga një diskutim joformal mbi pasojat e status quo-së të organizuar me një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile, përfshirë nga Serbia, si dhe politikëbërës, në fillim të marsit të këtij viti. 

Dr Ilazi theksoi pasojat politike dhe ekonomike nga status-quo-ja, duke përfshirë edhe zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Pas prezantimit konferenca vazhdoi me fjalë hyrëse nga përfaqësues të lartë të partive politike si: Znj. Fitore Pacolli-Dalipi nga Lëvizja VetëVendosje, Znj. Shqipe Mjekiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Z. Bernard Nikaj nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe fjalën përmbyllëse nga Znj. Milica Andriq Rakiq nga OJQ-NSI dhe Z. Agon Maliqi, anëtar i bordit të QKSS. Diskutimi tregoi se është qenësore, për të dyja shtetet, që dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve të ketë sukses, sidomos për qëllimin e tyre të përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). Diskutimet treguan se status-quo-ja ka pasoja të rënda për të dyja vendet dhe mund të abuzohet për përshkallëzimin më serioz të situatës, megjithëse ka shumë pak gjasa. Diskutimi tregoi se status quo-ja mund të përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike dhe puna që po bën shoqëria civile është shumë e rëndësishme për promovimin e mirëkuptimit më të madh ndërmjet komuniteteve.