TAKIM ME STUDENTËT E PROGRAMIT MASTER TË UNIVERSITETIT TË DURHAMIT

22/06/2012

Një grup i përberë nga 15 studentë të studimeve të Masterit në kuadër të programit Siguri, Politikat e Mbrojtjes dhe Diplomaci, nga Universiteti i Durhamit, Mbretëri e Bashkuar, i benë një vizitë Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Qëllimi i vizitës së tyre studimore ishte që të njihen për së afërmi me punën e QKSS-së si një nga institutet e vetme joqeveritare e cila mbulon sektorin e sigurisë në Kosovë. Të pranishmit patën mundësinë që drejtpërsëdrejti nga zyrtarët e QKSS, më konkretisht nga Drejtori, Florian QEHAJA, Udhëheqësi i Hulumtimeve, Pëllumb KALLABA dhe Sekretari, Mentor VRAJOLLI te njoftohen në mënyre te përgjithësuar në lidhje me aktivitetet e qendrës, rolin që ajo ka në nivelin vendor, rajonal dhe ndërkombëtar dhe për rëndësinë qe ka QKSS në politikbërje ne kuadër te sektorit te sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Paraprakisht studentët janë pritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi .

Ky ishte vetëm njëri nga bashkëpunimet në mes QKSS-së dhe Universitetit të Durhamit, bashkëpunim ky i cili daton që nga viti 2009. Pjesë e këtij bashkëpunimi është edhe mundësimi i kryerjes praktikës për studentët e Universitetit të Durhamit në kuadër të QKSS. Po ashtu, QKSS dhe Universiteti i Durhamit synojnë që edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin dhe ta intensifikojnë atë.

Në përfundim, ekipi QKSS dëshiron të falënderoj studentët për gatishmërinë e shprehur për të vizituar QKSS-në. Po ashtu, QKSS mbetet gjithmonë në mbështetje të zhvillimit të kapaciteteve kërkimore praktike.