DELEGACIONI KOSOVAR TAKON SHOQËRINË CIVILE, BIZNESIN DHE MEDIAT SLLOVAKE NË BRATISLLAVË

17/06/2012

“Bashkëpunimi pa njohje” ishte tema e konferencës së mbajtur me 15 qershor në Bratislavë të Sllovakisë, në të cilën kanë qenë të ftuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kosovare dhe të biznesit.

Kjo vizitë është mbështetur nga projekti KSTalksEU, përkatësisht Këshilli Britanik, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Britanise se Madhe, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Asociacionin Sllovak për Politikë të Jashtme (SFPA).

Synimi i delegacionit Kosovar, i cili është përbërë nga përfaqësues të QKSS, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), KIPRED, Oda Ekonomike e Kosovës, Agjencia për Promovim të Investimeve dhe IPKO, ka qenë krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit mes institucioneve sllovake dhe atyre kosovare në fushat të cilat jo-domosdoshmërish kanë implikime politike mes dy shteteve.

Paneli i përbërë nga Juraj Maruŝiak (Akademia e Shkencave te Sllovakise), Vladimir Bartovic (Instituti për Politika Evropiane në Pragë), Ivo Samson (Asociacioni Sllovak për Politikë të Jashtme), Pëllumb Kallaba (QKSS) dhe Engjellushe Morina, ka diskutuar për rolin e Sllovakisë në kuadër të proceseve integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor në kuadër të BE-së. Kjo ngjarje është përcjell edhe nga një numër ambasadash të akredituara në Bratislavë.

Delegacioni i Kosovës në tërësi ka theksuar nevojën për qasjen konstruktive të Sllovakisë brenda kontekstit të përafrimit të Kosovës në BE, mbështetjes për anëtarësim në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, krijimit të programeve të reja për bashkëpunim me shoqërinë civile, universitetet dhe median, si dhe rritjes së shkëmbimit njerëzor në drejtim të përmirësimit të imazhit të Kosovës brenda Sllovakisë. Po ashtu, momentumi i ri i krijuar pas zgjedhjeve parlamentare dhe përbërjes së re të Qeverisë Sllovake është konsideruar si mundësi premtuese në përafrimin e dy vendeve, në mënyrë reciproke. Përkundër mos-njohjes, ndikimi dhe bashkëveprimi i akterëve jo-politik në ndryshimin e perceptimeve dhe ngritjen e vetëdijes tek shoqëria sllovake u vlerësua si hap i domosdoshëm edhe në të ardhmen.

Përveç këtij paneli, përfaqësuesit nga biznesi kanë prezantuar mundësitë e investimeve në Kosovë dhe bashkëpunimin ekonomik në takim me institucione kredibile, si Agjencia Sllovake për Investime dhe Tregti (SARIO), si dhe me Odën Ekonomike Amerikanë në Sllovaki. Ndonëse janë takuar për herë të parë, palët janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e tregtisë dhe ekonomisë në mënyrë më të intensifikuar.

Të gjitha organizatat pjesëmarrëse nga shoqëria civile dhe biznesi Kosovar dhe Sllovak janë pajtuar se pavarësisht mungesës së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia, kjo mënyrë e bashkëpunimit duhet të konkludohet me partneritet si rrugë e vetme drejt një procesi gradual i cili eventualisht do të rezultojë me vendimin për njohje.

Ky aktivitet është përcjell edhe nga televizioni sllovak TA3 duke ftuar në program të drejtpërdrejtë bashkorganizatorin e kësaj vizite dhe përfaqësuesin e QKSS, Pëllumb Kallaba. Intervista është fokusuar në nevojën për rolin konstruktiv të Sllovakisë brenda BE-së, sfidat e mungesës së njohjes dhe marrëdhënieve bilaterale, mundësitë e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, akademik dhe kulturor si dhe diskutime tjera për zhvillimet e brendshme në Kosovë. Për QKSS, brenda një viti ky ka qenë organizimi i tretë me shoqërinë civile të Sllovakisë.

Intervista në televizionin TA3: http://www.ta3.com/clanok/1000849/p-kallaba-o-podujati-kosovo-ako-sucast-integracnej-perspektivy-zapadneho-balkanu.html