28/01/2015
Me rastin e Ditës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu ka mbajtur një prezantim mbi njohuritë e qytetarëve për këto të drejta në ngjarjen e organizuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Me këtë rast, QKSS ka lansuar gjetjet e rezultateve të Edicionit Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë mbi Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Prezantimi i saj u fokusua në perceptimet publike mbi privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Fokus i veçantë i është dhënë njohurive të qytetarëve të Kosovës me rolin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDhP). Për më tepër, ky edicion special ka për qëllim të tregoj se deri në çmasë publiku ua beson të dhënat e tyre personale disa prej institucioneve që posedojnë një numër të madh të të dhënave personale siç janë: Operatoret Telefonik, Policia e Kosovës, Institucionet Shëndetësore si dhe Bankat.
Rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) tregojnë që një rritje e lehtë e vetëdijes vërehet në mesin e qytetarëve të Kosovës në lidhje me të drejtat e tyre për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, megjithatë, njohuritë ende mungojnë. Mbi 63% e të anketuarve kanë theksuar se ata nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre në lidhje me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, pasuar nga mbi 13% të cilët janë të vetëdijshëm deri në një masë dhe mbi 21% të tyre që kryesisht kanë njohuri.
Në përgjithësi, rezultatet tregojnë se të moshuarit mbesin qytetarët më të painformuar rreth këtyre të drejtave, pasuar nga qytetarët e moshës së mesme dhe të moshës së re. Për sa i përket perceptimeve për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale në bazë gjinore, nuk vërehet ndryshim i madh. Mirëpo, të anketuarit e zonave rurale duket të jenë më pak të informuar për këto fusha sesa ata të zonës urbane.
Në anën tjetër, 67.2% e të anketuarve kanë deklaruar se ata nuk janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe 30.0% e të anketuarve kanë deklaruar se ata janë të vetëdijshëm për ekzistencën kësaj agjencie.
Për sa i përket shqetësimeve të qytetarëve për keqpërdorimet e mundshme të të dhënave tyre personale nga institucionet, vërehet që shqetësimin më të madh qytetarët e kanë shprehur kundrejt: Operatorëve Telefonik (49.%), Policisë së Kosovës (33.7%), Institucioneve Shëndetësore (27.%) dhe Bankave (19.%).
Për detaje më të hollësishme ju lutem lexoni raportin: Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni Special mbi Perceptimet e Qytetareve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale